Tregu i errët i Europës Lindore po furnizon terrorizmin në Perëndim, ndërsa bandat kriminale kanë gjetur gropa legjislacioni dhe kufij të hapur për t’i trafikuar armët. Si përfunduan kallashnikovët, prej paramilitarëve të ekstremit të djathtë islamofob te terroristët islamikë?

Nga eic.network

Rruga e armëve të kohës së komunizmit të përdorura në atentatit terrorist në Paris vitin që shkoi fillon në një faqe interneti sllovake, ndërsa rregullat e reja kanë dështuar të ndalojnë shitjen e armëve te kriminelët.

8 Janar 2015. Terroristi Chérif Kouachi dhe vëllai i tij Said lanë një banje gjaku në redaksinë e Charlie Hebdo. Ditën tjetër, kontakti i afërt i Kouachit, Amed Coulibaly, sulmoi supermarketin hebre kosher “Hyper Cacher” në Paris. Kur Coulibaly mori pengjet, vëllezërit Kouachi ishin të rrethuar në një shtypshkronjë në veri të Parisit. Aty u vranë prej policisë.

Në “Hyper Cacher”, një burrë tenton të arratiset – dhe Coulibaly e qëllon në shpinë, pastaj qëllon një klient tjetër të dyqanit. Të tjerët ai i mbajti në grykën e pushkës për më shumë se katër orë.

Të dy armët e tij vijnë prej Çekosllovakisë komuniste – të dyja janë të markës Ceska VZ 58, njëra e prodhuar në 1961 dhe tjetra një version special i shkurtër, i vitit 1964.

Këto armë ishin nxjerrë nga qarkullimi ushtarak dhe duhej të ishin përdorur si skrap, sipas hetuesve francezë. Ato janë në gjendje të keqe – por mund të qëllojnë për të vrarë. Të dy Ceska-t kanë vulën e “Kol Arms”, një punishte armësh sllovake. Njëra ishte çaktivizuar për të qenë një armë që qëllon plumba manovër 2013 nga “Kol Arms”, dhe tjetra një vit më pas. Kjo armë kishte numrin serial 63622.

Të dyja armët ishin shitur si armë me plumba manovër në 2014 në një dyqan me kushtin e vetëm që blerësi të ishte mbi 18 vjeç. Pas kësaj, ata janë riaktivizuar në një farkëtari armësh të botës së nëndheshme. Sipas një eksperti balistik nga policia e Parisit, procesi i riaktivizimit me të tilla armë është i thjeshtë sepse duhet thjesht të rirregullosh tytën. Armë të tilla gjenden lehtësisht online dhe mund të blihen me postë. Arma super e shkurtër kushton te 500 eurot, versioni më i gjatë, midis 230 deri në 280 euro.

Dy pistoletat Tokarev TT 33, që Coulibaly kishte gjithashtu me vete janë më të shtrenjta. Këto datojnë rreth viteve 1951 dhe1952 – dhe gjithashtu ishin kthyer në armë manovër nga “Kol Arms” në 2014, përpara se të riaktivizoheshin prej një të treti. Ky lloj Tokarev ishte hasur më herët në Marsejë në tetor 2012 dhe në Paris në korrik 2014. Coulibaly kishte edhe katër të tjera në një vend të fshehtë në Gentilly. Mënyra se si ai u pajis me këtë arsenal armësh të çon në një dyqan në Sllovaki dhe në një gabim dhe një episod të keqmenaxhuar prej policisë franceze.

Ndalesa e parë e trafikut: Një website sllovak

Dyqani “AFG Security” ndodhet në qytetin Sllovak të Partizanske-s, dy orë në lindje të Vjenës. Dyqani është në bodrumin e një shtëpie dykatëshe, ngjitur me shinat e trenit. Një reporteri të Der Spiegel i thanë se ishte i lirë të shihte, por motra e pronarit i tha se dyqani refuzonte t’iu përgjigjej gazetarëve. Të gjitha kërkesat për informacion u refuzuan. Prej këtij bodrumi AFG ka furnizuar kriminelët në të gjithë Europën me armë manovër. Kjo përfshin gangsterët në Britani, neonazistët në Gjermani dhe terroristët islamikë në Francë.

Armët shiten për qejf dhe përdoren në imitimin e skenave të Luftës së Dytë Botërore, argumenton në faqen e saj online AFG. Dyqani gjithashtu deklaron që këto janë: “armë origjinale, me ndryshime minimale.” Këto armë janë nxjerrë prej depove të ushtrisë dhe policisë sllovake si ‘skrap’. Pas rënies së bllokut komunist, Sllovakia për të kursyer paratë e ruajtjes i dërgoi këto armë me kontenier drejt kompanive si “Kol Arms”, të cilat i kthyen armët vrasëse në lodra. Kur këto armë lanë ambientet e “Kol Arms”, ato ishin të padëmshme – në një këndvështrim juridik. Por për kriminelët, ky ishte malli i ri në treg. 14,000 armë të tilla u shitën prej AFG jashtë Sllovakisë, shumica online sipas policisë federale në Gjermani, e cila ka 33 hetime për klientë të kësaj kompanie. Një proces i thjeshtë mund t’i kthejë ato sërish në vdekjeprurëse. Hetuesit francezë besojnë se një farkëtari armësh me eksperiencë mesatare i duhen vetëm dy orë për ta riaktivizuar një armë të tillë.

Klientët e armëve: Nëntoka politike dhe kriminale e Europës

Gjurma e armëve që shkon në dyqanin sllovak ka qenë nën vëzhgim dhe rikthimi i tyre në armë të përdorshme ka sjellë disa dënime, para se të lidhej me zinxhirin e shitësve që çuan tek aktet terroriste në Paris. Në 2014 AFG hyri në fushën e interesit të autoriteteve në Gjermani dhe Britani. Arsyeja e kësaj ishte nisja e një pakoje nga Gjermania me destinacion gangsterin britanik Alexander M., “Smokey”, një grabitës nga Londra, i cili po vuan një dënim të përjetshëm. Pakoja përmbante automatikë të tipit VZ61 Skorpion. Smokey i porositi armët nga burgu, duke përdorur një telefon të zgjuar. Autoritet kishin vetëm një pseudonim për ndërmjetësin gjerman, i cili i trafikoi armët, Max Mustermann – në një rrjet tregtie të dyshimtë online, që quhet Agora. Komentet në këtë faqe për Mustermann thonë: “Zgjedhja ime e parë” dhe “Max është më i miri”.

Policët gjermanë dhe britanikë dërguan hetues për të blerë këto armë. Gjurmimi i numrave të e-mail-ve i çoi ata në qytetin Bavarez të Schweinfurt, dhe te studenti 20-vjeçar Christoph K. Në janar 2015 policët hynë në dhomën e tij në kampusin universitar, ndërkohë që edhe disa persona të tjerë u arrestuan në Europë. Christoph K. riaktivizonte armët e blera nga AFG në bodrumin e tij dhe i shiste ato ndonjëherë me fitim deri 10 herë më të lartë. Ai u dënua me katër vjet e tre muaj në burg. Ai nuk ishte i vetmi klient i dedikuar i AFG-së.

Në rekordet e marra nga BKA, është gjithashtu dhe 39-vjeçari Alexander R., i cili bleu dy kallashnikovë dhe disa Skorpions. Në Ferlach, “zemra e industrisë së armëve Austriake” ai bleu tyta të reja për t’i bërë armët aktive. Alexander R. ishte i njohur për biznesin e armëve me një rrjet Neo-nazist i lidhur me Grupin e Armatosur Sportiv Hoffmann (Wehrsportgruppe Hoffmann), një grup i ndaluar i të djathtës ekstreme. Policia e arrestoi Alexander R, dhe zbuloi arsenalin e tij të armëve. Ai u dënua katër vjet pas hekurave. Nga burgu ai u shkroi shokëve të tij se kishte si qëllim të shkatërronte Republikën Federale Gjermane dhe të vriste informatorët që e kishin spiunuar. Pas lirimit të tij nga burgu, Alexander R. bleu një sasi të konsiderueshme armësh nga AFG. Ai dyshonte që policia e mbikëqyrte dyqanin dhe shitjet e tij online, kështu që i bëri blerjet kesh dhe pagoi në arkë. Ai u dënua sërish, por një duzinë me armë automatike që ai pati blerë nuk janë gjetur ende. Pasi rruga e trafikut të armëve ishte bërë rutinë në botën e nëndheshme të krimit dhe politikës, ajo filloi të shfrytëzohej edhe nga terroristët islamistë.

Nga Neo-Nazistët te ISIS

Në 2014, AFG i shërbeu një burri nga Franca e Veriut përmes internetit – Claude Hermant, një anëtar i Frontit Nacional (Partia e Mari le Pen), me një histori prej paramilitari. Hermant kishte bërë burg në Kongo pasi kishte marrë pjesë në një puç të dështuar. Ish-paramilitari mbahet gjallë me një dyqan të vogël pranë Lilës. Duke përdorur emrin e kompanisë, ai bleu nga AFG disa pistoleta, automatikë dhe Kallashnikov VZ58, të gjitha të çaktivizuara nga “Kol Arms”. Pas sulmeve terroriste në Paris në Janar 2015, policia kontrolloi dyqanin e tij dhe gjeti se të gjitha armët ishin riaktivizuar ose përmes shpimit ose duke trysnuar tytën.

Këto përfshin edhe 15 Ceska VZ 58, një Tokarev TT 33 dhe municione. Por policisë nuk i duhej të kërkonte më shumë për një tjetër VZ 58 dhe një tjetër TT 33, të cilat Herman i kishte porositur nga AFG. Ajo VZ 58 ishte arma e përdorur nga pengmarrësi në supermarketin kosher “Hyper Cacher” për të vrarë 22-vjeçarin Yohan Cohen. Dy pistoletat Tokarev, që u gjetën në skenën e krimit dhe po ashtu katër armët në shtëpinë e Colibaly vinin nga i njëjti burim. Hermant kishte një alibi. Ai po punonte si “informator” i një polici në zonë, që e kishte lejuar t’ia shiste armët një figure të dyshimtë për policinë. Polici që ndiqte çështjen tha se kishte 30 informatorë dhe se nuk kishte mundur të zbulonte ku përfunduan armët. Ende është e paqartë se si ato ranë në duart e terroristit.

*Vijon në numrin e radhës. Një prej kallashëve që u përdor në atentatet e Francës mund të ketë ardhur nga Shqipëria, ndërsa një tjetër prej luftës në Bosnjë.

Ky shkrim u përgatit nga:

Iniciues

DER SPIEGEL (Jörg Schmitt, Jürgen Dahlkampf)/ Le Soir (Alain Lallemand)

Raportuan

Andreas Ulrich, Wolf Wiedmann-Schmidt, Der Spiegel; Fabrice Arfi, Karl Laske, Matthieu Suc nga Mediapart; John Hansen, Jakob Sheikh, Politiken; Milorad Ivanovic, Newsweek Serbia; Lukas Matzinger, Falter; Irene Velasco, El Mundo; Vlad Odobescu, The Romanian Centre for Investigative Journalism; Michael Bird, The Black Sea.

www.eic.network/mapo

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: