Nga: ERJON SKENDAJ*
TIRANË- Fëmijët me HIV/AIDS e kanë të pamundur të shkollohen si bashkëmoshatarët e tyre, pasi pas i ndjek stigma dhe përjashtimi shoqëror, që vjen si rezultat i frikës nga sëmundja.
Aktivistë që mbrojnë të drejtat e të sëmurëve me HIV/AIDS në Shqipëri thonë se raste flagrante të stigmës nuk mungojnë as në shkollat e kryeqytetit.

“Pavarësisht se ne i kemi trajtuar, kemi pasur mbështetjen tuaj, i kemi ngritur herë pas here problematikat. edhe sot ne kemi një fëmijë në rrethinat e Tiranës që e ndjek mësimin në klasë në bankën e fundit dhe para tij janë 3 banka bosh. Kjo bën që fëmija të ndjehet totalisht i izoluar, ndërkohë që dihet që bashkëjetesa me fëmijët e tjerë nuk sjell asnjë pasojë për shëndetin e bashkëmoshatarëve dhe nxënësve të tjerë në klasë”, tha Olimbi Hoxhaj nga Shoqata e Pacientëve me HIV/AIDS.

Jo pak ankesa ngre edhe komuniteti i fëmijëve të prekur nga Talasemia. Duke folur para komisionit parlamentar të Shëndetësisë, përfaqësues të Shoqatës së Fëmijëve Talasemikë fajësuan strukturat shëndetësore publike për mosrespektim të protokolleve mjekësore, ndërsa i kërkuan qeverisë që t’ju njohë statusin e personit me aftësi të kufizuara.

“Si mund të jetojë një talasemik me problemet që ka me hemoglobinë 6. Do marrë 97 mijë lekë në muaj, që vijnë 3 apo 4 herë në spital të shoqëruar nga prindërit, me hemoglobinë 6 hyjnë në konkurs për shkollë, ndërsa iu kërkojnë 400 mijë lekë, Këerkesa jonë është të hyjmë në grupin e personave me aftësi të kufizuara”, tha Bardhyl Musai, Kryetar i Shoqatës së Pacientëve me Talasemi.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb