Ish-producenti i Hollivudit, Harvey Weinstein, i cili është dënuar për përdhunim, është “jashtë rrezikut” pasi iu nënshtrua një operacioni urgjent në zemër, njoftoi një nga përfaqësuesit e tij, Judah Engelmeier.

“Ai është duke pushua , është i dobët, por është jashtë rrezikut për momentin,” tha zëdhënësi. ” Mbreti i rënë” i Hollivudit u dërgua me urgjencë nga burgu Rikers i Nju Jorkut në një spital të qytetit pasi pësoi probleme me zemër të dielën në mbrëmje.

Të enjten, një rigjykim i çështjes së tij do të nisë në Nju Jork, pasi një gjykatë e apelit në fund të prillit rrëzoi dënimin e tij për përdhunimin e një aktoreje, Jessica Mann dhe sulmin seksual të asistentes së produksionit, Mimi Halegi. Kjo përmbysje shihet si një pengesë për lëvizjen #MeToo, e cila filloi me çështjen Weinstein, kundër dhunës seksuale ndaj grave.

Zbulimet në vitin 2017 për sulmet seksuale të ish-“bosit” të kompanisë Miramax shkaktuan tronditje globale pasi shumë prej viktimave thyen heshtjen, pas shumë vitesh. Më shumë se 80 gra e kanë akuzuar atë për ngacmim, abuzim seksual ose përdhunim, duke përfshirë Angelina Jolie, Gwyneth Paltrow dhe Ashley Judd.

Weinstein ka pohuar gjithmonë se këto marrëdhënie ishin konsensuale. Pavarësisht rrëzimit të dënimit në Nju Jork, ai mbetet në burg sepse u dënua në vitin 2023 në Los Angeles me 16 vjet burg për raste të tjera përdhunimi dhe abuzimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: