TIRANE – Rreth 320 punonjës Policie të Patrullave të Komisariateve të Tiranës, prej disa muajsh marrin 5¬7 mijë lekë më pak nga rroga, pasi u është faturuar me pa të drejtë karburanti i shpenzuar në periudhën 2011-2012.

Gazeta “Panorama” shkruan sot se auditi i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit ka zbuluar se në këtë periudhë makinat e Patrullës së Përgjithshme të Komisariateve kishin shpenzuar dy herë më shumë karburant nga ç’përcaktonte organika. E megjithëse nga verifikimi i mjeteve rezultoi se problemi qëndronte te makinat dhe përllogaritja që ishte bërë për sasinë e karburantit që shpenzonin, sërish diferenca u është ngarkuar efektivave që kanë pasur në përdorim këto automjete.

Pasi ka përfunduar auditi, Komisariateve u është kërkuar lista e efektivave që kanë pasur në përdorim mjetet në periudhën 2011-2012 dhe është bërë një grafik, me mesatare 55 punonjës për komisariat, të cilëve u është faturuar vlera e karburantit që është shpenzuar mbi limit. Burime jozyrtare thanë se çdo punonjësi Policie të Patrullës së Përgjithshme u është faturuar një shumë nga 35 deri në 50 mijë lekë të rinj, e cila është vendosur t’u mbahet nga rroga.

Në mënyrë që shuma të mos mbahej njëherazi, pasi kjo kategori punonjësish ka pagën më të ulët në Policinë e Shtetit, është vendosur një kuotë 5¬7 mijë lekë në muaj, e cila u zbritet nga rroga. Vetë punonjësit që janë “ndëshkuar” në këtë formë e quajnë të padrejtë vendimin dhe për këtë arsye kanë bërë ankesa personale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe në Ministrinë e Brendshme, megjithatë deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

PERLLOGARITJA E KARBURANTIT
Sipas grafikut të çdo Komisariati Policie në Tiranë, grupit të efektivave të Patrullës së Përgjithshme u ishte përcaktuar një sasi karburanti që duhej të shpenzonin për turn, sipas një kontrate me një dispeçeri në kryeqytet ku ata furnizoheshin. Efektivat nuk merrnin tollona për furnizimin e mjeteve, por sipas përllogaritjes që ishte bërë në rajonin përkatës, te dispeçeri i caktuar mbushnin plot sabratorin e makinës.

Por përllogaritja ishte bërë njësoj sikur makinat ishin të reja, pa marrë parasysh amortizimin që rrjedhimisht bën që automjeti pas një periudhe të caktuar përdorimi shpenzon më shumë karburant. Sipas një shembulli të thjeshtë, në dokumente shënohej që automjeti duhej të shpenzonte 8 litra karburant për 100 kilometra, kur në të vërtetë shpenzonte 16 litra për 100 kilometra, pra dy herë më shumë.

Rrjedhimisht, sasia e karburantit që ishte llogaritur të shpenzohej për 10 mijë kilometra, shpenzohej për 5 mijë. E gjithë kjo referuar vitit 2011-2012, pasi më pas përllogaritja ndryshoj, në bazë të vjetërsisë së mjeteve dhe problemeve që u konstatuan në servis. E megjithëse rezultoi që ishte një gabim në përllogaritje dhe jo abuzim i efektivave me karburantin, sërish sasia e shpenzuar mbi limitin e caktuar, iu faturua efektivave që i kishin pasur në përdorim këto mjete 3¬4 vite më parë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: