KORÇE – Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto inspektoi mbrëmjen e 1 Janarit gjendjen e aksit Librazhd-Qafë Thanë, e cila ka paraqitur vështirësi në qarkullimin e automjeteve prej tre ditësh për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Ministri Haxhinasto u shpreh se ky aks rrugor është i hapur ndërsa apeloi që drejtuesit e makinave të jenë të kujdesshëm dhe të përdorin zinxhirë.
“Aksi i Qafë-Thanës është i hapur. Ju bëj thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos lëvizin pa zinxhirë në akset me ngrica dhe dëborë”, – tha ministri i Transportit dhe Infrastrukturës.
Nga ana tjetër, Haxhinasto kërkoi nga kompanitë kontraktore për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve që të punojnë me cilësi dhe të respektojnë kontratat.
Gjatë vizitës së tij në terren, ministri deklaroi se Qeveria do të jetë rigoroze me monitorimin e kontratave të kompanive që merren me pastrimin e rrugëve dhe se do të ndryshojnë rregullat për licencimin e këtyre kompanive.
Në këtë inspektim Haxhinasto, shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika.
(er.nu/BalkanWeb)