TIRANE – Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miratoi ndryshimin në projekt/ligjin për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, si autoritet kontraktues dhe kompanisë Statkraft AS, si bashkëkoncesionare për ndërtimin e HEC-it në lumin Devoll. Relatori, deputeti demokrat Gjergji Papa, theksoi se autoriteti kontraktues nuk e ka përmbushur detyrimin e tij për fillimin e ndërtimit të rrugës zëvendësuese.
“Mospërmbushja e këtij detyrimi nga ana e autoritetit kontraktor brenda afatit të përcaktuar do t’i sjellë shtetit shqiptar një dëm financiar, pasi sipas kontratës, nëse kjo infrastrukturë nuk ndërtohet tre muaj para mbushjes së rezervuarit me ujë, autoriteti kontraktues do të detyrohet të dëmshpërblejë koncesionarin për të gjitha dëmet e shkaktuara si rezultat i kësaj vonese.”- deklaroi Papa.
I pranishëm në komision, zv/ministri i Energjisë Ilir Bejtja shpjegoi përse bëhet ky ndryshim. Ndërkohë, demokrati Genc Ruli iu kujtoi socialistëve deklaratat për rishikimin e koncesioneve.
“Befas po i jepet një tolerancë e jashtëzakonshme njërit prej koncesioneve dhe pasi e ka lënë dy vjet pa e buxhetuar shumën, vjen të na bindi që tani pa dëmtuar shtetin, por shteti dëmtohet aman, dëmtohet realisht.”- tha Ruli.
“Ju garantoj që ne nuk kemi pasur asnjëherë me Devollin, besoj nuk e ka pasur as qeveria e mëparshme, një pozicion më të mirë apo më të keq me ta.”- tha zv/ministri Bejtja.
Projektligji për ndryshimin e kontratës së koncesionit do të kalojë për votim në seancën plenare javën e ardhshme.
(news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: