Policia e Lezhës ka arrestuar ditën e sotme kreun e zonave të Mbrojtura dhe dy inspektorë të këtij institucioni. Ndërkohë një tjetër shtetas me inicialet P. N., 61 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Monitorimit në AdZM Lezhë, është shpallur në kërkim.

Lajmi bëhet i ditur nga burime për BalkanWeb.

Hedhja e inerteve në mënyrë të paligjshme dhe tjetërsimi i pronave në zonën e mbrojtur të lagunës Kunë-Vain ka sjellë ndalimin e Drejtorit te Zonave te Mbrojtura ne Lezhe, Pjeter Toni, dhe 2 inspektor të këtij institucioni Pashk Noka, Armando Lleshaj e Tom Gjelaj.

Ndaj tyre është vendosur masa e sigurisë ‘arrest me burg’ nga gjykata e Lezhës me kërkesë të prokurorisë pas një hetimi disa javor. Policia ka ekzekutuar vendimet e gjykatës këtë të premte, ndërsa prokuroria do vijojë hetimet edhe për institucionet e tjera nëse ka pasur shkelje për rastin në fjalë.

Policia dhe prokuroria e Lezhës duke përdorur metodat pro aktive kanë përmbyllur një pjesë të hetimeve që sollën ndalimin e zyrtarëve lokalë të zonave të Mbrojtura.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë Lezhë, operacioni i koduar “Tjetërsimi i Lagunes” për goditjen e veprimtarive të paligjshme në zonat e mbrojtura.

Vihen në pranga drejtori dhe 2 punonjës të AdZM Lezhë. Shpallet në kërkim 1 punonjës tjetër.

Operacioni është në vijim, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Në kuadër të planit të masave për ruajtjen e zonave të mbrojtura nga veprimtaritë e paligjshme, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara se në zonën e mbrojtur “Laguna Kune-Vain” po kryhej veprimtari e paligjshme, pas një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tjetërsimi i Lagunes”.

Si rezultat i këtij operacioni janë ndaluar 3 shtetas, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin e datës 03.06.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, konkretisht:

– P. T., 61 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë drejtor i AdZM Lezhë;

– A. Ll., 27 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë specialist i Sektorit të Monitorimit pranë AdZM Lezhë;

– T.Gj., 63 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë roje mjedisore i AdZM Lezhë.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit P. N., 61 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Monitorimit në AdZM Lezhë.

Këta shtetas nuk kanë përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në ligjet dhe aktet nënligjore për funksionet e tyre. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ata kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit, konkretisht në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Matkeqës”.

Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb