Pamjet e kamerave të sigurisë janë prova e vetme e policisë së Sarandës në arsyetimin e urdhër arrestit të firmosur për 36-vjeçarin Sotir Çabiri, të dyshuar si autor i vendosjen së eksplozivit një ditë më parë në hotelin ku babai i tij ishte bashkëpronar.

Burime për “BalkanWeb” pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në pamje duket i riu që del nga hoteli vetëm 3 minuta para shpërthimit me eksploziv. Vetë ai nuk e ka pranuar akuzën duke u shprehur se ishte në hotel për të marrë një valixhe që kishte harruar pasi do të shkonin familjarisht në Angli, aty ku banon prej vitesh motra e tij së bashku më bashkëshortin e fëmijët.

Ajo që përbën çudi është mënyra e vendosjes së eksplozivit, me një përpikmëri prej “xhenieri” në të paktën 5 vende të objektin dhe jo në një, duke arritur kështu ta rrëzojë komplet objektin. Madje edhe në pamjet filmike dallohen disa shkëndija të njëpasnjëshme duke të lënë të kuptosh se kanë qenë shpërthime seri.

Në fakt, i riu Çabiri nuk njihet në Sarandë si problematik. Ai për 6 vjet ka mbajtur pozicionin e nënkryetarit te Forumit Rinor të Partisë Demokratike dega Sarandë dhe administronte një piceri në katin e parë të hotelit që u shkatërrua. Vitet e fundit hoteli dhe një mjedis për “Fast-Food” në krah të tij ishin dhënë me qira nga Çabiri.

Pavarësisht kalvarit shumëvjeçar të gjyqeve për pronësinë mes Spiro Çabirit, Vangjel Shtukës e grekut Dhimitër Evangjeliu, prona administrohej pikërisht nga Çabiri ndërkohë që në QKB rezulton që 60 % e ortakërisë së hotelit i takon Shtukës dhe 40 % Spiro Çabirit ndërsa administratore është bashkëshortja e këtij të fundit, Miranda.

Megjithatë muajt e fundit rezulton se në tratativa për ta blerë hotelin ka qenë biznesmeni Edmond Papa, i ekzekutuar në atentat në dhjetor 2022. Këtë informacion e disponon edhe grupi hetimor, megjithatë ata nuk bëjnë me dije se me kë nga pretenduesit e pronës ai kishte hyrë në negociata, me paditësin Evangjeliu apo të paditurit Çabiri e trashëgimtarët e Shtukës së ndjerë edhe pse burime konfidenciale bëjnë me dije se Çabiri kurrsesi nuk ishte pjesë e kësaj “marrëveshje”. Madje nuk bëhet me dije nga grupi hetimor as se si kanë përfunduar këto negociata.

Ajo çka dihet nga vendimet publike gjyqësore është se edhe pse Gjykata e Shkallës së Parë njohu pronar të 90 % të pronës Evangjeliun dhe nga 5 % dy të tjerët, shkallët më të larta të gjyqësorit kanë vazhduar më pas ping-pongun duke e rikthyer çështjen për rigjykim të paktën deri në vendimet e bëra publike deri në tetor 2022. Nuk dihet nëse ka pasur vendime të tjera gjyqësore pas kësaj date që mund t’i kenë dhënë të drejtë pronësie ndonjë prej palëve ashtu siç pretendohet se mund të jetë bërë edhe shkak për ngjarjen e djeshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb