Kandidati për deputet në qarkun e Shkodrës për deputet, që fitoi mandatin e tij, Helidon Bushati, me anë të një statusi, shkruan se 25 prilli është tentative e fundit për minosjen e demokracisë.

Helidon Bushati thekson se beteja për rrëzimin e zgjedhjeve të manipuluara nga bota e krimit është rrugë pa kthim për PD.

Postimi i Helidon Bushatit:

25 Prilli ishte tentativa e fundit e minosjes së demokracisë. Beteja për rrëzimin e zgjedhjeve të manipuluara nga bota e krimit është rrugë pa kthim për Partinë Demokratike. Do t’i shkojmë deri në fund. Masakra elektorale e 25 Prillit nuk mund të mbajë kurrësesi peng fatin e shqiptarëve.

Sot, pikërisht në Ditën e Europës, ditë që po mbahet peng për Shqipërinë nga aleanca e krimit me pushtetin, Partia Demokratike ka dorëzuar në KAS, prova dhe fakte të pakundërshtueshme për qarkun e Shkodrës. Prova dhe fakte që kanë vetëm një fajtor, pushtetin Rama-Doshi, pushtetin mafioz të inkriminimit dhe të cënimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Aleanca e pushtetit me kriminelë, intimidimi dhe presoni ndaj administratës shtetërore si dhe shitblerja masive e votës, ishte përballja jonë plotësisht e pabarabartë dhe in extremis. Përballje që do t’i shkojmë deri në fund. Përballje që do ta fitojmë.

Kemi një sërë provash dhe faktesh që nxjerrin zbuluar nga nëntoka e krimit, të gjithe aparatin shtetëror dhe kriminal. Prova ndaj një regjimi që u vendos kundër vullnetit të shumicës në Shkodër.

Vetëm brenda një muajit, janë depozituar në SPAK rreth 50 kallëzime penale dhe 130 kallëzime në prokuroritë e rretheve. Prova që përfshijnë persona me preçedentë të tmerrshëm kriminalë. Prova ndaj personave me preçedent kriminal që ditën për diell drekonin me deputetët e listës së PS-së Shkodër dhe në darkë bënin fushaten e presioneve me atë të pengmarrjes së votës me lekë.

Sigurisht, ka një dirixhues. Një inspirues. Ai është “njëshi”, kryebabloku i krimit, Edi Rama. Miku më besnik i krimit.

Bashkë me popullin, në Shkodër u vendosëm përballë një regjimi të strukturuar kriminal që joshi krimin me tendera dhe fonde publike.

Instrumenti i vetëm i tyre, ai i krimit dhe terrorit si sundim mbi Shkodrën dhe shqiptarët, nuk mund të vazhdojë të marrë peng çdo palë zgjedhje.

Pavlefshmëria e këtyre zgjedhjeve si dhe përsëritja e tyre në periudhën më të afërt zgjedhore në qarkun e Shkodrës, nuk duhet vonuar. Drejtësia duhet të rreshtohet në krah të 3 milionë shqiptarëve dhe jo peng i një grushti zuzarësh e kriminelësh.

Drejtësia të flasë. Provat janë aty tashmë.

Deri në fund! Bashkë!

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb