NGA: MIRSAD RAKAJ*
Isha duke punuar në arë, kur dëgjova një zhurmë të fuqishme. Pashë një helikopter, ndërsa pata përshtypjen se piloti po bënte ulje të pakontrolluar nga piloti. Në ajër pati një shpërthim dhe një avari, helikopteri përfundoi në liqen. Në momentin e rrëzimit, unë dhe disa banorë të tjerë të zonës dëgjuam thirrjet për ndihmë të pjesëtarëve të bordit. Notova në liqen për 200 m dhe së bashku me një bashkëfshatar tjetër shpëtuam një ushtarak (Gerald Baramuça), i cili ishte plagosur”. Kështu deklaroi dje Besnik Cenaj, nga fshati Grizhë i Malësisë së Madhe. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Cenaj tha se i plagosuri i foli në gjuhën serbe, pasi mendonte se helikopteri kishte rënë në ujërat malazeze. Ndërkohë, dëshmitari okular i ngjarjes pohoi se i plagosuri u dërgua në spitalin e Shkodrës nga një banor tjetër i zonës, Bari Ajazi.

Z.Cenaj, çfarë bëtë ju në momentin kur helikopteri ra në ujërat e liqenit të Shkodrës?
U afrova për të marrë një varkë që t’u vija në ndihmë personave që ishin në helikopter, por ishte e mbyllur me çelës. U hodha në ujë dhe kam notuar afro 200 m. Sapo u afrova, pashë një person të plagosur mbi ujë që kërkonte ndihmë. Më vonë mësova se ishte Gerald Baramuça. Për fatin e mirë erdhi me varkë një bashkëfshatar i imi, Xhili. Ne e hipëm në varkë të mbijetuarin dhe e nxorëm në breg, ndërsa dy pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit kishin vdekur.

Ku ishte plagosur piloti?
Njërën plagë e kishte në kokë dhe tjetrën në krahun e djathtë, nëse nuk gaboj.

Ai kishte pësuar fraktura të mëdha dhe bërtiste nga dhimbjet. Komunikove me pilotin?
Po, e pyeta se si kishte ndodhur ngjarja, ndërsa ai më foli në gjuhën serbe, pasi siç duket, kujtonte se kishte rënë në ujërat malazeze. Kishte humbur vetëdijen dhe fliste përçart. Thoshte vetëm: ambulanca, ambulanca.

E pyetët atë nëse kishte persona të tjerë në ekuipazh?
Po, e pyeta, dhe ai me gjysmë zëri më tha vetëm ‘po, por dil shpejt sa nuk ka ndodhur shpërthimi’.

Kë njoftuat më pas?
Njoftova gruan dhe kunatën, të cilave u thashë që të merrnin policinë dhe ambulancën pasi një helikopter kishte rënë në liqen.

Dini gjë se për çfarë kishte qenë duke pilotuar aty helikopteri, meqë ju i dhatë ndihmën e parë të plagosurit?
Unë dëgjova nga një bashkëfshatar i imi, se një helikopteri i ngjashëm me atë që u rrëzua ka pilotuar që në orët e para të mëngjesit. Madje kishte pësuar avari dhe kishte bërë ulje të detyrueshme në zyrat doganore, që ndodhen në dalje të Shkodrës, për faktin se aty është një hapësirë e madhe. Pilotët i kishin bërë shërbim motorit dhe pas disa orësh janë ngritur për fluturim. Unë në fakt gjatë ditës kam dëgjuar zhurmë helikopteri, por nuk ia kam vënë mendjen.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: