Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka sqaruar sot gjendjen e 7 vajzave të shkollës 9-vjeçare “Jashar Hoxha” të Paskuqanit.

Sipas QSUT, nxënëseve u janë kryer të gjitha ekzaminimet edhe nga shërbimi i toksikologjisë dhe janë vëzhguar nga mjekët për disa orë. Nga analizat nuk është evidentuar asnjë sindrom klinik toksikologjik dhe në gjak nuk është evidentuar prani e gjurmëve të drogave.

DEKLARATA E QSUT
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, bazuar në informacionin zyrtar të përcjellë nga Shërbimi i Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike, më datë 07.10.2016, informon si më poshtë vijon:

Në QSUT, ditën e enjte rreth orës 13:30 e në vijim janë paraqitur në Urgjencën Polivalente të QSUT dhe në Urgjencën Pediatrike, të konfirmuara si banore në Paskuqan dhe nxënëse në shkollën “Jashar Hoxha”, shtetaset me iniciale: B.R. 14 vjeç, J.R. 12 vjeç, S.L. 12 vjeç, E.P. 12 vjeç, M.D. 12 vjeç, L.L. 12 vjeç, A.C. 12 vjeç.

Pas vlerësimit mjekësor paraprak të gjendjes klinike në shërbimet e sipërpërmendura,  janë transferuar për ekzaminime të mëtejshme në Shërbimin e Toksikologjisë, ku janë marrë të gjitha masat për ndjekjen e protokollit mjekësor.

Në raportin e përgatitur nga Shërbimi i Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike theksohet se: Nuk u evidentua asnjë sindrom klinik toksikologjik që të korrespondonte me ekspozime toksike apo lëndë psikodisleptike.

Shërbimi raporton se nxënëset u observuan për një periudhë disa orëshe. U bënë të gjitha ekzaminimet e gjakut për shqyrtim klinik-biokimik si dhe mostrat e urinës. Analizat e testit të urinës për të gjitha rastet rezultuan negative, pra pa prani të gjurmëve të drogave në gjurmim (për AMP, BUP, BZD, MDA, XTC, MOR/OP, MTD dhe THC (cannabis sativa).

Gjithashtu edhe ekzaminimet e tjera biokimike të gjakut rezultuan përgjithësisht në kufij të normës pas asnjë devijancë që të fliste për efekte imediate të një kategorie të gazeve toksike më të mundshme në rrethana të tilla kolektive.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: