Një zëdhënës i qeverisë gjermane thotë se një test tregon se liderin rus të opozitës e kanë helmuar me një helm nervor. Navalnin e dërguan në Berlin për mjekim, pasi u sëmur në Rusi.

Një test toksikologjik solli dëshmi përfundimtare se liderin rus të opozitës Aleksej Navalno e kanë helmuar me helmin nervor Noviçok, njoftoi zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert të mërkurën në Berlin.

Testi u krye në një laborator të posaçëm ushtarak gjerman.

Seibert tha se kancelarja Angela Merkel dhe kabineti i saj ishin mbledhur për të diskutuar situatën dhe për të përcaktuar një mënyrë veprimi. Në një twitter duke njoftuar përfundimet e testit, Seiberti shkroi se “qeveria federale gjermane e dënon këtë sulm në mënyrën më të fortë të mundshme”.

Deklarata qeveritare në twitter:

Ai tha se qeveria gjermane pret një shpjegim të shpejtë dhe të plotë nga Rusia. Zëdhënësi shtoi edhe se Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas kishte thirrur ambasadorin rus për të diskutuar situatën.

Berlini tani do të bisedojë me partnerët e tij të BE dhe NATO për të diskutuar një reagim të duhur ndaj incidentit, si dhe do të njoftojë Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) për përfundimet.

Navalni është një kritik i njohur i Presidentit rus Vladimir Putin. Lideri i opozitës dhe aleatët e tij thonë se Navalni ishte helmuar një herë më parë, në një qeli paraburgimi në Moskë vitin e kaluar. Atë gjithashtu e sulmuan në publik. Helmi nervor Noviçok është i njëjti helm që u përdor në helmimin në vitin 2018 të ish-agjentit të dyfishtë Sergei Skripal në Salisbury, Angli.

Rasti Skripal krijoi një krizë serioze në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit. Rreth 30 shtete dëbuan diplomatë rusë në një përgjigje të koordinuar. Rezultatet e kërkimit ndërkombëtar u vunë në dyshim me anë të një fushate dezinformimi. Nuk ka asnjë provë që Noviçok – një lëndë luftarake helmuese e zhvilluar dhe prodhuar në Rusi – ishte përdorur për sulmin, u tha. Ministria e Jashtme në Berlin e hodhi poshtë këtë paraqitje në prill 2018 si lajm të rremë “të qëllimshëm” të “mediave ruse në botën e jashtme të kontrolluara nga shteti”.

Navalni u ndje i sëmurë gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë më 20 gusht, në të cilin avioni me të cilin po udhëtonte bëri një ulje urgjente në qytetin siberian të Omsk-it. Navalnin e dërguan me urgjencë në një spital lokal, ku ai ra në koma. Dy ditë më vonë, pas shumë grindjesh diplomatike, udhëheqësi i opozitës u lejua të fluturonte për në Berlin, ku u mjekua në Spitalin Charite të qytetit. Ai vazhdon të qëndrojë në Charite./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb