Shtëpia e Bardhë e quajti “plotësisht të dënueshëm” faktin që udhëheqësi i opozitës ruse Aleksej Navalni u helmua me një agjent kimik nervor dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen “për të vënë para përgjegjësisë personat përkatës në Rusi.”

Komentet u bënë nga John Ullyot, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Një burim i qeverisë së SHBA që ka njohuri për raportimet e zbulimit amerikan tha se nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në përfundimin e arritur nga Gjermania se për helmimin e Navalnit është përdorur agjenti nervor Novichok.

Më herët, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se kritiku i Kremlinit Aleksei Navalni, i cili është nën kujdes intensiv në një spital të Berlinit, u helmua me agjentin nervor Novichok të llojit sovjetik, në përpjekje për ta vrarë atë.

Ajo tha se Berlini tani pret që Moska të shpjegohet dhe që Gjermania të konsultohet me aleatët e NATO-s se si të përgjigjet, gjë që rrit mundësinë e sanksioneve të reja perëndimore ndaj Rusisë.

Moska ka mohuar përfshirjen në incident dhe ministria e jashtme ruse tha se pohimi i Gjermanisë nuk ishte i mbështetur në prova, duke u ankuar për mënyrën se si Gjermania e publikoi informacionin rreth Navalnit.

“Ky është informacion shqetësues për vrasje në tentativë me helmim ndaj një figure udhëheqëse ruse të opozitës,” tha zonja Merkel në një konferencë për shtyp.

“Aleksei Navalni ishte viktimë e një sulmi me agjentin nervor kimik të llojit Novichok”, tha ajo.

Navalny, vazhdon të jetë në gjendje kome artificiale në qendrën e kujdesit intensiv të spitalit.

Një agjent nervor i së njëjtës familje u përdor dy vjet më parë për të helmuar një shtetas rus të arratisur në Britani.

Rusia është tashmë nën sanksione perëndimore pas aneksimit të Krimesë gjashtë vjet më parë. Një tjetër përballje me vendet evropiane ose Shtetet e Bashkuara mund ta dëmtojë më tej ekonominë e saj.

Prokurorët rusë thanë të enjten e kaluar se ata nuk panë nevojën për një hetim penal pasi nuk gjetën asnjë shenjë që të ishte kryer ndonjë krim.

Navalni, 44 vjeç, u transferua në Gjermani në fund të muajit të kaluar. Ai u sëmur papritur kur ishte duke udhëtuar me avion nga qyteti siberian Tomsk për në Moskë. Avionit iu desh të bënte një ulje emergjente në Omsk.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas i kërkoi Rusisë të hetojë helmimin e zotit Navalny tani që analizat klinike tregonin se ai ishte sulmuar me një agjent nervor.

“Kjo e bën edhe më të ngutshme që personat përgjegjës në Rusi të identifikohen dhe të vihen para përgjegjësisë,” u tha ministri Maas gazetarëve. “Ne e dënojmë këtë sulm me termat më të ashpra,” tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg reagoi gjithashtu.

“Kjo është tronditëse dhe unë e dënoj plotësisht atë. Përdorimi i një agjenti nervor të shkallës ushtarake e bën edhe më urgjente që autoritetet ruse të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent. Ata që janë përgjegjës duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi. Ne do të këshillohemi me Gjermaninë dhe të gjithë aleatët për pasojat e këtyre përfundimeve. NATO-ja e konsideron çdo përdorim të armëve kimike si kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,” tha zoti Stoltenberg.

Novichok është një grup agjentësh nervorë vdekjeprurës të krijuar nga ushtria sovjetike në vitet 1970 dhe 80.

Britania thotë se Rusia përdori Novichok për të helmuar ish-agjentin Sergei Skripal dhe vajzën e tij në qytetin britanik Salisbury në vitin 2018. Të dy ata i mbijetuan sulmit.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo përfshirje në këtë sulm. Një grua 44-vjeçarie, Dawn Sturgess, humbi jetën nga i njëjti agjent nervor./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb