NGA IV KALOÇI
Për herë të parë bëhet publik vendimi i Gjykatës Popullore të Tiranës i vitit 1977, për ngjarjen e shumëpërfolur të “Helmimit të lopëve të Baldushkut”, të cilat “hëngrën” katër koka njerëzish dhe dërguan prapa hekurave të qelive të burgut shumë të tjerë të pafajshëm. Si u inskenua dhe u montua akuza nga Sigurimi i Shtetit në bashkëpunim me hetuesinë, prokurorinë dhe gjykatën, duke krijuar të ashtuquajturin Grup Kriminal Sabotator prej shtatë personash, të cilët u akuzuan edhe si përkrahës të Grupit të Beqir Ballukut dhe që kishin kërcënuar Udhëheqjen e lartë të PPSH-së me anë të një letre anonime?!

DOSJA GJYQËSORE: “JA GRUPI KRIMINAL QË HELMOI LOPËT E BALDUSHKUT”
Për herë të parë në “Gazeta Shqiptare” po botojmë të plotë dokumentin origjinal të dosjes gjyqësore, të të ashtuquajturit “Grupi Sabotator i Kooperativës së Baldushkut”. Ka qenë nëntori i viti 1975, pikërisht nën klimën e terrorit dhe spastrimit që kishin ndërmarrë segmenteve të caktuara të organeve të diktaturës së proletariatit, në bazë të direktivave të marra më parë nga udhëheqja kryesore e regjimit komunist të Enver Hoxhës në plenumet famëkeqe të atyre viteve, ndaj shtresave të caktuara të shoqërisë shqiptare që regjimi i konsideronte kundërshtarë të tij, gjë e cila kishte filluar me të famshmet “Grupet Armiqësore” Kulturë, Ushtri dhe Ekonomi, e ka zanafillën edhe ky “Grup Armiqësor”, i njohur ndryshe si “Grupi Sabotator i lopëve të Baldushkut”, i cili shumë shpejt do t’u nënshtrohej pa mëshirë inskenimeve dhe trilleve të Sigurimit të Shtetit, ashtu siç ndodhi me të gjitha grupet e tjera, si dhe për ta përmbyllur ironikisht me atë të Ministrisë së Brendshme.

Por ndryshe nga këto grupe të sipërpërmendura ku bënin pjesë elita e shtetit shqiptar, miq dhe kolegë të diktatorit Hoxha, “Grupi i Kooperativës së Baldushkut” do të kishte një specifikë tjetër. Ajo përbëhej nga njerëz të thjeshtë dhe punëtorë të një prej ndërmarrjeve bujqësore më të njohura të Rrethit të Tiranës, ku disa prej tyre nuk njiheshin fare me njeritjetrin. Por vetë mënyra se si u “zbulua” dhe si u “godit” ky grup i përbërë nga kooperativistë, njerëz të thjeshtë e punëtorë të Baldushkut, e bën sa tragjike aq edhe mosbesuese faktin e të qenit realisht një “Grup i vërtetë armiqësor”.

Këtë gjë, pra farsën e ideuar nga Sigurimi i Shtetit, e vërteton më së miri edhe vendimi i gjykatës, i cili është i tejmbushur fund e krye me paragrafë dhe terma propagandistike, ku shtatë të pandehurit, përveç të tjerash akuzohen edhe si përkrahës të Grupit Puçist të Beqir Ballukut. Një tjetër aspekt i ndërhyrjes së Sigurimit të Shtetit në këtë grup është edhe eliminimi misterioz i kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës (kryebashkiakut) Ndue Marashi, i cili mbulonte edhe problemet ekonomike dhe bujqësore të rrethit të Tiranës. Vetë natyra brutale e goditjes së këtij “Grupi armiqësor” u bë për të përligjur në njëfarë mënyre gjendjen e vështirë ekonomike që po kalonte Shqipëria dhe që u justifikua me arrestimin dhe ekzekutimin e shumë zyrtarëve të lartë të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe tregtisë shqiptare.

Kjo ngjarje, pra “Historia e helmimit të lopëve të Baldushkut” ka zënë vend edhe herë të tjera në shtypin e pas viteve ’90-të, duke pasur prononcime nga disa prej personave të atij grupi që mbijetuan duke dalë të gjallë nga burgjet e ferrit komunist, të cilët kanë deklaruar publikisht se çdo gjë ka qenë e montuar nga Sigurimi dhe se pohimet e deklarimet e të pandehurve, si në hetuesi ashtu edhe në gjyq, kanë qenë marrë nën tortura. Po kështu, çuditërisht lidhur me këtë ngjarje ka pasur prononcime publike në shtyp e në media vizive, edhe nga ndonjë prej akuzatorëve të tyre, ku i kanë qëndruar strikt asaj “çka kanë gatuar” 40 vjet më parë. Ndërsa këto tashmë janë të njohura për publikun e gjerë dhe lexuesit, në shkrimin e mëposhtëm po botojmë të plotë vetëm vendimin e gjykatës, (të nxjerrë nga Arkivi i M.P.B.) që dërgoi në plumb dy prej të akuzuarve dhe pesë të tjerët i dënoi me burgime të gjata, ku dy prej tyre nuk dolën dot të gjallë.

“SI NGORDHËN NGA HELMIMI 98 LOPË TË RACËS”

Vendimi i Gjykatës së Tiranës 98 lopë të racës ngordhën si pasojë e këtij helmimi. Fajësinë si më sipër u provua me pohimin e hollësishëm të të pandehurve, Refat Daja, Nuri Allmuça, Agim Akçani, Bashkim Allmuça, Nadire dhe Aishe Shima. Të gjithë këta si gjatë hetimit, ashtu dhe gjatë gjykimit pranuan në mënyrë të qartë se helmimi i lopëve është kryer prej tyre. Përsa i përket të pandehurit Selman Balla, vihet re se ai ka mbajtur një qëndrim mohues. Ndërsa të gjithë të tjerët dhanë shpjegime se Selmani ka marrë pjesë në krim duke e detyruar të pandehurin të pranonte fajësinë e tij. Pretendimet e këtij të fundit gjoja mbi mosmarrëveshjet me të pandehurit e tjerë u hodhën poshtë nga të gjithë këta duke pranuar kështu bashkëfajësinë në këtë veprim kundër-revolucionar. I pandehuri Selman për të shpëtuar përgjegjësinë e tij u mundua të ngrinte alibinë se gjoja natën e krimit ka qenë në një darkë në shtëpinë e tij me disa persona, pra në pamundësi të ndodhej në vendin e ngjarjes. Dëshmitarët e pyetur për këtë fakt të quajtur Sherif Ibrahimi dhe Dalip Ismaili dëshmuan se ndonëse kishin qenë për darkë në shtëpinë e Selmanit, nuk u kujtohej data dhe sipas mendimit të tyre, kjo ka ndodhur shumë ditë përpara helmimit të lopëve. Të gjitha këto tregojnë se edhe Selman Balla pavarësisht nga qëndrimi mohues që mban, është pjesëtar i grupit që ka helmuar lopët e Baldushkut. Provat e tjera që vërtetojnë fajësinë e tyre janë: ekspertiza grafike e datës 17 nëntor 1975, e cila vërteton letrën anonime drejtuar udhëheqësit kryesor të Partisë, shkruar nga Nuri Allmuça.

AKT-EKSPERTIZA: LOPËT JANË HELMUAR ME ZHIVË
Nga akt-ekspertiza toksikologjike nr.365, përgatitur nga ekspertët Nexhmedin Misiri, Raqi Qirici, Thoma Nano, Napoleon Shomo dhe Afrim Tabaku tregohet prania e preparateve të zhivës, fosforit, nitratit dhe nitritit si në urinën e lopëve, ashtu edhe në ujin e pijshëm. Ekspertët shpjeguan se në kovën ku pretendohet të jenë përzier helmet nga të pandehurit u gjend zhivë super fosfati dhe nitrat. Nga shpjegimet e dhëna prej ekspertëve para gjykatës u përjashtua mundësia që helmimi i tyre të ketë ndodhur nga vetë organizmi i tyre, pasi nuk ekziston ndonjë analizë e veçantë që e vërteton këtë gjë. Po kështu, përjashtohet mundësia e helmatisjes nga ushqimi. Ekspertët treguan se kombinimi i helmeve në ushqim nuk mund të bëhej vetëm me praninë e një personi të vetëm. Gjithashtu, u provua se depoja e ushqimit ka tri porta, ku çelësin e njërës prej tyre e mbante Agim Akçani, ndërsa dy të tjerave kryestallieri Hazis Balla. Kjo vërteton se të gjithë këta persona kanë hyrë në këtë stallë vetëm me ndihmën e personave si Hazisi dhe Agimi. Një seri provash të tjera në mënyrë indirekte provojnë se Nuri Allmuça disa ditë para ngjarjes në mënyrë të tërthortë ka shfaqur pamjet e tij rreth dëmit që mund t’i bëhej kooperativës. Kështu, dëshmitari Allmuça deklaroi se 10 ditë para kësaj ngjarjeje, i pandehuri Nuri ka folur se do të dërgonte një letër në adresë të K.Q. të P.P.SH., anonime se nuk e përkrahnin në Baldushk. Kooperativa jonë në këtë rast do të dëmtohej rëndë. Zyber Allmuça deklaroi si më sipër se Nuriu ka treguar se lopët janë helmuar me zhivë të zezë. Lutfi Allmuça në dëshminë e tij ka treguar se Nuriu i kishte thënë atij të largohej nga stalla, pasi mund t’i ndodhte një gjë e rëndë. Këto shprehje i ka dëshmuar edhe dëshmitari Petrit Allmuça. Është vërtetuar se në Kooperativën Bujqësore në Baldushk është mbajtur një qëndrim i pakujdesshëm përsa i përket ruajtjes së helmeve.

“HELMIMI I LOPËVE, VEPËR DHE KRIM DIVERSIONIST”
Vepra e kryer nga të pandehurit formon krimin e diversionit, gjë që solli si pasojë dëmtimin e rëndë të pasurisë së kooperativës nisur me qëllime të posaçme kundërrevolucionare. Kjo ndodhi për të krijuar në popull ndjenjë e frikës dhe të pasigurisë, krim ky i parashikuar në nenin 70 të Kodit Penal. Në akuzë bëhet fjalë se të pandehurit për të realizuar qëllimet e tyre kundërrevolucionare kanë krijuar një organizatë kriminale. Ky konkluzion i akuzës mbi ekzistencën e organizatës kriminale është i pabazuar për këto arsye: për të pasur një organizatë kriminale është e domosdoshme të ekzistojnë këto kushte: Në të marrin pjesë më tepër se dy persona. Të jetë i organizuar. Të jetë i qëndrueshëm për të kryer veprimtari të vazhdueshme kundër pushtetit në një formë të lartë organizimi.

Në rastin konkret mungon qëndrueshmëria dhe një organizim i lartë, sepse të pandehurit kanë pasur për qëllim të kryejnë vetëm atë vepër kundërrevolucionare të helmimit të lopëve dhe për këtë qëllim janë bashkuar brenda një kohe të shkurtër, duke bërë vetëm një mbledhje aty nga fundi i tetorit, ku për të gjithë është bërë e qartë se do të vepronin në helmimin e lopëve me datën 7 nëntor 1975 dhe pas kësaj veprimtaria e tyre merrte fund. Pra, nuk del që ata të kenë pasur qëllime të tjera. Përsa i përket krimit të agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor, ky prej disave prej tyre është kryer para se të binin dakord në helmimin e lopëve dhe është kryer me persona të veçantë dhe as që ka qenë në programin e punës së tyre. Organizata kriminale është forma më e lartë e organizimit për të kryer krime të ndryshme pra në rastin konkret mungojnë këto element dhe për pasojë vepra është kryer nga një grup i organizuar personash. Me veprat e tyre të pandehurit kanë dëmtuar kooperativën bujqësore në lekë 350.000, për të cilën duhet të përgjigjen solidarisht.

LETRA KËRCËNUESE UDHËHEQJES: DO HANI KOKAT TUAJA
Të pandehurit kanë kryer edhe krimin e agjitacionit dhe propagandës dhe konkretisht si vijon: Të pandehurit Rifat Daja dhe Nuri Allmuça, bashkërisht kanë përgatitur një letër anonime drejtuar Udhëheqjes së Partisë plot me shpifje dhe trillime për komunistët e Baldushkut dhe njëkohësisht në këtë letër shprehen edhe fjalë armiqësore kundër udhëheqjes së Partisë. “Në rast se nuk do të zgjidhni këto problem, do të hani kokat tuaja”. Kjo provohet me letrën si objekt krimi si dhe me pohimet e tyre. Veç kësaj, të pandehurit kanë shprehur pakënaqësi ndaj masave që Partia ka marrë ndaj Beqir Ballukut duke i quajtur ato të padrejta. I pandehuri Nuri Allmuça veç tyre fakteve, ka agjituar kundër kolektivizimit dhe luftës kundër fesë. Edhe ky fakt provohet nga pohimet e të pandehurve të tjerë. Gjithashtu, edhe të pandehurat Emine dhe Nadire Shima kanë agjituar kundër kooperativave bujqësore, kanë përkrahur fenë, si dhe në bisedat që kanë zhvilluar me shumë persona të tjerë në Baldushk janë shprehur, se niveli i përgjithshëm i jetës dhe i ekonomisë shqiptare është në nivel katastrofik, pasi kjo punë nuk e kishte të gjatë.

“DY MOTRAT E PANDEHURA KANË PËRKRAHUR BEQIR BALLUKUN”
Po kështu, të pandehurat në fjalë kanë përkrahur Beqir Ballukun. Edhe ky fakt është i provuar. Edhe i pandehuri Agim Akçani gjithashtu është përgjegjës për krimin e agjitacionit dhe propagandës, pasi ka pohuar me gojën e tij për nivelin e ulët të kooperativave dhe ekonomisë shqiptare. Kjo është vërtetuar nga pohimet e tij gjatë hetuesisë. Vepra këto të dënuara sipas nenit 73/ 1 të K.P. Të pandehurit Bashkim Allmuça dhe Selman Balla gjithashtu janë akuzuar për agjitacion dhe propagandë, por vazhdimisht e kanë mohuar këtë. Akuza fajësinë e tyre e bazon kryesisht në atribuimet e të pandehurës Nadire Shima, të cilat janë të zbehta, prandaj është e pamjaftueshme që këto dy të pandehur të shpallen të pafajshëm për këtë fakt. Këto vepra të kryera nga të pandehurit kanë paraqitur një rrezikshmëri të madhe. Për masën e dënimit gjykata, ka parasysh shkallën e pjesëmarrjes të çdo të pandehuri në kryerjen e këtij krimi. Iniciatorët e kësaj vepre kriminale janë Refat Daja dhe Nuri Allmuça, të cilët qysh në fillim kanë shkruar letrën anonime dhe duke e parë që kjo gjë nuk solli ndonjë sukses, kanë marrë përsipër kryerjen e aktit të helmimit të lopëve.

Për këtë fillimisht, ata tërhoqën në grupin e tyre Emine Shimën dhe pastaj morën vendimin për zgjerimin dhe konsolidimin e këtij grupi. Këto gjëra u bënë duke shfrytëzuar pakënaqësitë e tyre. Të dy këta janë krerët kryesorë të grupit të helmimit të lopëve. Si të tillë paraqesin rrezikshmëri më të lartë nga të pandehurit e tjerë. I pandehuri Agim Akçani, duke shfrytëzuar postin e tij si brigadier, ka ndikuar qëllimisht në zbatimin e ekzekutimit të këtij krimi. Përsa i përket të pandehurit Bashkim Allmuça, paraqet një rrezikshmëri më të vogël se të tjerët, pasi qysh në fillim ka pohuar pjesëmarrjen në krim. Gjithashtu, edhe të pandehurat Nadire dhe Emine Shima kanë pohuar pjesëmarrjen në krim. Por gjykata duke marrë parasysh moshën e re, e ka gjykuar si më pak të rrezikshme karakterin e tyre.
VENDIMI: DY ME VDEKJE, TË TJERËT ME BURGIME TË GJATA

Për këtë arsye: Në bazë të nenit 78 të K.Pr.Penale, Gjykata:
VENDOSI 1-Të deklaroj fajtor të pandehurin Refat Daja për krimin e diversionit dhe në bazë të nenit 70, 12, dhe 8 të K.P. e dënon me VDEKJE me pushkatim si dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. e dënon me 8 vjet heqje të lirisë. Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P. e dënon me pushkatim si dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet.

2- Deklaron fajtor të pandehurin Nuri Allmuça për krimin e diversionit kryer në bashkëpunim në bazë të nenit 70,12 dhe 73/1 të K.P. e dënon me VDEKJE me pushkatim si dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet. Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P. e dënon me pushkatim si dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet.

3-Deklaron fajtor të pandehurin Selman Balla për krimin e diversionit të kryer në bashkëpunim në bazë të nenit 70, 12, të K.P. e dënon me 22 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet.

4-Deklaron fajtor të pandehurin Agim Akçani për krimin e diversionit të kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 70,12 dhe 28 të K.P. e dënon me 20 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet. Përfundimisht e deklaron fajtor për nenin 73/1 të K.P. dhe e dënon me 21 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet.

5-Deklaron fajtor të pandehurin Bashkim Allmuça për krimin e diversionit të kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 70,12 dhe 28 të K.P. e dënon me 16 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet.

6-Deklaron fajtore të pandehurën Emine Shima për krimin e diversionit të kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 70,12 dhe 28 të K.P. e dënon me 14 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së saj me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet. Përfundimisht e deklaron fajtore për nenin 73/1 të K.P. dhe e dënon me 15 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së saj me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet.

7-Deklaron fajtore të pandehurën Nadire Shima për krimin e diversionit të kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 70,12 dhe 28 të K.P. e dënon me 13 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së saj me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet. Përfundimisht e deklaron fajtore për nenin 73/1 të K.P. dhe e dënon me 14 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së saj me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet. Detyrimin e të gjithë të pandehurve për të paguar dëmin e shkaktuar ndaj Kooperativës Bujqësore Baldushk prej 350.000.000 lekë. Vuajtja e dënimit për të pandehurit Selman Balla fillon nga data 10.11.1975, për Agim Akçanin nga data 10.11.1975, Bashkim Allmuçën nga data 17.6.1976, Emine Shima nga data 9.12.1975, dhe Nadire Shima nga data 9.12.1975. Shpenzimet gjyqësore u ngarkohen të pandehurve. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve nga e nesërmja e shpalljes. U shpall sot me dt. 31.1.1977. KRYETARI Aleks Varfi. Kundër këtij vendimi është bërë ankim nga të gjithë të pandehurit dhe aktet iu dërguan për shqyrtim Gjykatës së Lartë.

SHËNIM: Gjykata e Lartë në shkallë të dytë me vendimin Nr.51 datë 19.2.1977 ka vendosur: Lënien në fuqi të këtij vendimi. Ky vendim për të gjykuarit Refat Daja dhe Nuri Allmuça nuk do të vihet në ekzekutim para shqyrtimit nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të kërkesës së tyre për falje, që ata kanë të drejtë t’i dërgojnë atij në bazë të nenit 349 të K.Pr.P Tiranë më 28.2.1977. K/Sekretare e Agim Akçani në sallën e gjyqit, i shoqëruar nga dy gardianët e burgut Gjykatës (Ruko Sako).
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalknanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: