MOSKË

Kremlini ka thënë të premten se dëshiron dialog me Gjermaninë, mbi rastin e politikanit rus opozitar Aleksei Navalny.

Rusia ka deklaruar se mjekët rusë që e kanë mjekuar liderin e opozitës kanë qenë “shumë më transparentë sesa mjekët gjermanë”.

Gjermania nga ana e saj ka thënë se kanë gjetur se Navalny ishte helmuar me një agjent nervor Novichok të stilit sovjetik, ndërsa thanë se autorët e ngjarjes duhet të marrin dënime. Rusia deri tani nuk ka hapur hetim penal për çështjen, duke thënë se nuk ka prova se në këtë rast është kryer krim, raporton Reuters.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska donte të dinte nga Gjermania se cila substancë saktësisht bëri që Navalny të sëmuret në Siberi muajin e kaluar. “Sipas versionit të mjekëve tanë nuk ishte një helmim”, tha Peskov. “Specialistët gjermanë arritën të krijojnë një lloj lënde helmuese. Ne jemi duke shpresuar në një dialog me kolegët tanë gjermanë.”, shtoi ai.

Ai shtoi: “Veprimet hetimore po kryhen nga specialistët tanë, dhe nëse ka konfirmim të pranisë së substancave helmuese në materialin biologjik të pacientit (Navalny), natyrisht pasojat ligjore do të pasojnë. Ne kërkojmë nga të gjithë të mbështeten në fakte e jo propagandë ”.

Navalny është kundërshtari më i popullarizuar dhe më i shquar i Presidentit Vladimir Putin dhe njoftimi gjerman këtë javë se ai u helmua nga një agjent nervor ka rritur mundësinë e sanksioneve të mëtejshme perëndimore kundër Moskës.

Një gjykatë ruse ka refuzuar depozitimin e një ankese nga disa mbështetës të opozitës në Moskë për rastin, mbi një procedurë për veprën penale të tentativës së vrasjes.  Një nga aleatët e Navalny akuzoi Komitetin Hetimor, i cili merret me hetime për krime të mëdha, për mosveprim.

Kira Yarmysh, zëdhënësi i Navalny, tha se gjykata kishte deklaruar se kallëzimi penal ishte trajtuar si një “ankesë qytetare” dhe se duhen së paku 30 ditë që të shikohet si problem. Yarmysh u shpreh se autoritetet shtetërore ruse “bëjnë çdo gjë që të mos nisin asnjë hetim”.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb