Gjurmët e agjentit nervor, me të cilin supozohet të jetë helmuar politikani rus, Aleksei Navalny, janë gjetur në një shishe në dhomën e hotelit ku ka qëndruar ai para se të sëmurej, ka thënë ekipi i tij.

Navalnyt i është përkeqësuar gjendja në një fluturim në Siberi në muajin gusht.

Gjermania ka thënë se ai është helmuar me agjent nervor, Noviçok. Fillimisht ishte besuar se kritiku i Kremlinit mund të jetë shënjestruar në aeroport.

“Tani e kemi kuptuar: Helmimi është kryer para se ai të largohej nga dhoma për të shkuar në aeroport”, është thënë në një postim në llogarinë e tij në Instagram.

Navalny, figura kryesore opozitare në Rusi dhe kritiku i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin, aktualisht është duke u trajtuar në një spital gjerman në Berlin.

Ekipi i tij dyshon se ai është helmuar me urdhrat e Putinit.

Kremlini mohon përfshirjen në këtë rast dhe ka thënë se nuk ka të dhëna që në këtë incident është përdorur ndonjë agjent nervor./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb