Paraqitja e sotme e Granit Xhakës kundër Shqipërisë ka kapur syrin e shumë mediave në Angli, ndërsa kjo nuk i ka ikur as analistit të Sky Sports dhe legjendës së Arsenalit, Thierry Henry.

Henry është ndarë shumë i kënaqur me paraqitjen e yllit të ri të Arsenalit, Granit Xhaka, i cili sot ndihmoi Zvicrën të marrë pikët e plota ndaj Shqipërisë, ndërsa kishte përballë edhe vëllaun e tij, Taulantin.

“Ai tregoi se nuk i intereson kundër kujt po luan, vëllait të tij apo rrënjëve të tij. Graniti vetëm dëshironte ta fitonte këtë takim”, ka thënë Henry për BBC.

Nuk ishte vetëm ai që i kishte sytë nga Graniti, pasi edhe miliona fansa të Arsenalit dëshirojnë ta njohin më mirë yllin e tyre të ri, dhe kjo ishte ndeshje shumë e veçantë për të treguar se çfarë lideri është, shkruan Sky Sports, duke shtuar më pas se ai tregoi nivelin e lartë të lojës, dhe është zgjidhja e duhur për mesfushën e Arsenalit.

Graniti sipas Sky Sports tregoi më së miri aftësitë e tij në pasime, duke realizuar 101 të tillë, më tepër se çdo futbollist tjetër në fushë, ndërsa asnjë tjetër nuk arriti më shumë se 70. Por, ai u tregua shumë efikas me ndërprerjen e aksioneve që pritet të jenë vendimtare në lojën e Arsenalit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: