Nga Av. Sajmir Laçej*

Së pari, duhet të sqarohet koncepti i sistemit të taksimit ekzistues që diferencon prodhuesit e vegjël nga ata të mëdhenj, deri në nivelin 50% më pak gabimisht perceptohet si diferencim i prodhuesve vendas nga ata të huaj që, në të vërtetë, është instrument mbrojtës i prodhuesve të vegjël, pavarësisht nëse janë brenda vendit apo të huaj.

Pijet alkoolike në përgjithësi dhe, në veçanti artikulli birrë objekt diskutimi trashëgon punishte apo marka tradicionale që janë pasuri kombëtare të vendeve ku prodhohen dhe faktor i rëndësishëm turistik dhe konservimi të vlerave të trashëguara në breza.

Nga ana tjetër, prodhimi i birrave të markave komerciale në nivel global me kosto më të ulëta për njësi krahasuar me prodhuesit e vegjël është shkatërrues për këta të fundit, deri në faliment.

Për këtë arsye, referuar praktikave më të mira të Bashkimit Europian, nenit 4 të Direktivës 92/83/EEC, mbi harmonizimin e strukturës së taksimit me akcizë të pijeve alkoolike

edhe Ligji aktual Mbi Akcizën në Republikën e Shqipërisë 61/2012 parashikon për analogji nivele të diferencuara akcize për prodhuesit e vegjël deri në 200 mijë hektolitra.

Heqja e diferencimit, jo vetëm që do të ishte në kundërshtim me politikat e taksimit në Bashkimin Europian ku duam të jemi vend anëtar, por në kushtet e krizës së shtrenjtimit të lëndëve të para, energjisë dhe rënies së konsumit do të sillte si pasojë falimentimin e prodhuesve vendas dhe humbje të vendeve të punës.

Në propozim pretendohet se ky ndryshim bëhet në kuadrin e përafrimit të Legjislacionit Tatimor me BE-në, ndërkohë që nuk ka asnjë referim se cili nen i cilës Direktivë përafrohet. Siç u argumentua më sipër është propozuar të miratohet një ndryshim në kundërshtim me Direktivën e BE për taksimin e produkteve alkoolike.

Oferta turistike si degë strategjike e ekonomisë ku janë orientuar dhe investime të mëdha në infrastrukturë, nëse miratohet ky ndryshim nuk do të ketë artikullin shumë të kërkuar birre prodhim vendas që është shumë atraktiv për të huajt. Produktet e importit do të zëvendësojnë gradualisht tërësisht prodhimin vendas.

Në vendet e Bashkimit Europian, niveli minimal i Akcizës sipas direktivës 92/83/EEC është 0,03 euro për 1 shishe 330 mililitra për prodhuesit mbi 200 mijë HL dhe rreth 0,015 euro për litër për ata nën 200 mijë HL. https://taxfoundation.org/beer-taxes-in-europe-2022.

Ndërkohë në Shqipëri, niveli i akcizës është 3 herë më shumë se niveli i parashikuar në direktivën 92/83/EEC, Prodhuesit nën 200 mijë HL 0.05 Euro (5.94 Lekë) për një paketim 330 mililitra, Prodhuesit mbi 200 mijë HL 0.1 Euro (11.7 Lekë) për një paketim 330 mililitra.

Referuar hartës së detajuar (linku më sipër) Shqipëria takson birrën më shumë sa trefishi i nivelit të akcizës që aplikojnë Gjermania, Rumania, Spanja, Bullgaria, Luksemburgu etj., vende që kanë aplikuar politika që u përshtaten interesave të prodhuesve të vegjël dhe atraksionit turistik.

Për sa i përket argumentit që përmendet në propozimin e bërë se heqja e diferencimit bëhet me qëllim shmangien e evazionit potencial nuk qëndron. Prodhimi dhe importi i birrës prej 10 vitesh është një proces shumë i monitoruar me sistem gjurmimi me pulla fiskale si në asnjë vend tjetër që funksionon prej 10 vitesh. Gjithashtu, certifikimi i sasive të prodhuara nuk bazohet vetëm në vetëdeklarimin e subjekteve prodhues apo importues, por verifikohet nëpërmjet dokumentacionit zyrtar të Autoriteteve Doganore/Tatimore.

Ndërkohë është e palogjikshme të pretendohet ulja e evazionit, duke rritur nivelin e taksimit, e kundërta është e vërtetë, rritet motivimi për evazion.

Edhe në rast se do të kishte vështirësi mbikëqyrjeje të prodhuesve të vegjël, kjo nuk e justifikon anashkalimin e politikave të trajtimit diferencuar të taksimit që janë mekanizëm shumë i rëndësishëm pjesë e misionit të Agjencive përgjegjëse.

Nëse misioni i tyre reduktohet vetëm në maksimizim e të ardhurave pa marrë në konsideratë politikat e taksimit nxitëse dhe zhvilluese ekonomike shkaktohet një dëm shumë më i madh financiar se të ardhurat e përkohshme pragmatiste.

Edhe për sa i përket efektit financiar, teorikisht është llogaritur që në vitin 2023 do të mblidhen rreth 2.3 milionë euro më shumë që nuk kanë asnjë peshë të rëndësishme në të ardhurat doganore (të ardhurat shtesë janë rreth 0.1%, e planit vjetor 2023, ndërkohë që dëmet e Kompanive që kanë investuar me plane biznesi të kredituara nga Bankat, referuar legjislacionit në fuqi, është rreth 30 milionë euro.

*Ekspert ligjor për çështjet fiskale, ish-zv.drejtor i Doganave

Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb