VLORE – Pas lajmit të publikuar në media për heqjen e fotografisë së ish-kryetarit të Bashkisë Shpëtim Gjika, Policia e Vlorës ka ndaluar personin që vodhi foton. Gazeta “Panorama” shkruan se sipas një videoje të marrë nga kamera e sigurisë, një i moshuar shihet tek sa futet brenda korridorit të Bashkisë duke marrë foton e Shpëtim Gjikës për ta futur atë më pas në një çantë.

Burime nga Policia e Vlorës thonë se është ndaluar burri që vodhi foton e Gjikës. Atij i është gjetur çanta bashkë me foton e ish-kryetarit të Bashkisë. Nuk dihet ende nëse burri që kreu të këtë veprim e bëri për t’u hakmarrë ndaj Gjikës për modelin e qeverisjes së Bashkisë, apo ka qenë një vlerësues i tij për faktin se ai qeverisi për një periudhë të Gjatë Bashkinë e Vlorës. Më herët, lajmin e heqjes së fotos nga Bashkia e Vlorës e bëri publik vetë ish¬-kryetari Shpëtim Gjika.

Në një koment të publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Gjika ka shkruar se më parë ishte njoftuar për mungesën e fotos dhe se kishte pritur që ky ‘incident’ të rregullohej. Gjika bëri krahasime për heqjen e fotos nga muri i Bashkisë me retushimin e fotove të Enverit me Mehmet Shehun.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: