Rusia ka marrë vendim të lejojë Nënsekretaren amerikane të Shtetit Victoria Nuland të vizitojë këtë vend për bisedime, pavarësisht se e kishte futur më parë atë në listën e zezë. Moska bëri të ditur të dielën se ky vendim vjen pasi Uashingtoni ra dakord të heqë kufizimet e udhëtimit të vendosura ndaj një shtetasi rus.

Zyrtarja amerikane pritet të vizitojë Moskën nga 11 deri më 13 tetor, vizitë që ndodh në një kohë kur marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë tejet të tendosura. Departamenti i Shtetit tha se ajo do të takohet me zyrtarë të lartë rusë për të diskutuar çështje dypakëshe, rajonale e globale.

“Ajo (Victoria Nuland) ishte në listat tona të sanksioneve, që do të thotë se nuk mund të futej në Rusi”, njoftoi agjencia e lajmeve RIA duke iu referuar komenteve të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova. “Ata (Uashingtoni) kishin të përfshirë rusë dhe ekspertë të politikës së jashtme në listat e tyre të sanksioneve. Pra në këtë rast çështja u zgjidh mbi baza pariteti. Po, ajo do të vizitojë Rusinë”, shtoi ajo.

Më pas zonja Zakhrova sqaroi për radion “Govorit Moskva” se SHBA kishte hequr nga lista e sanksioneve një shtetas rus. Por ajo nuk dha detaje rreth identitetit të tij. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë. Marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit arritën në pikën më të ulët që pas Luftës së Ftohtë, në vitin 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë. Marrëdhëniet vazhdojnë të jenë të tensionuara edhe për një sërë çështjesh të tjera.VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: