TIRANE- Gjatë mbledhjes së ditës së sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur me 5 vota pro ndërprerjen e mandatit për deputetin e PDIU Aqif Rakipi dhe atë të LSI, Gledion Rehovica, pasi preken nga ligji i dekriminalizimit. “BalkanWeb” zbulon se në listën e qarkut të Beratit pas Rahovicës renditet Silva Caka, e cila ka shumë mundësi të bëhet deputetja më e re e LSI-së. Ndërsa tek PDIU-ja situata është pak më e koklavitur. Emrat e meshkujve që renditen në listë nuk do të llogariten, pasi ky subjekt politik nuk ka respektuar kuotën për barazi gjinore, duke çuar kështu një tjetër femër pas Elna Xhinës në Parlament. Kështu mësohet se deputetja më e re nga radhët e PDIU-së do të jetë, Florenca Halili.

KQZ ka rrëzuar kërkesën e avokatit të Aqif Rakipit, Theodhori Sollaku, i cili kërkoi të pezullohet kërkesa e prokurorisë. Avokati tha se kërkesa e Prokurorisë është në shkelje të ligjit, pasi sipas tij Aqif Rakipi nuk është dënuar nga asnjë vend i BE.

“Aqif Rakipi nuk është dënuar nga asnjë vend i BE dhe nuk është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai nuk është dëbuar nga shtetet sipas ligjit dhe në situata të tilla nuk është hequr mandati”- ka thënë avokati Sollaku.

Ndërkohë edhe avokati i deputetit të LSI, Ardian Visha tha se nuk ka asnjë dënim ndaj deputetit Rehovica, ndaj s’mund t’i ndërpritet mandati pa prova.

“Nuk ka bërë asgjë, ajo çka pretendohet si raportim në versionin anglisht të përcjellë nga zyra e Interpolit, se italianët nuk e përdorin fjalën raportim, pra ajo që në thelb është raportim s’është as më i vogli dyshim për vepër penale”- tha ai.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, “deputeti i PDIU për qarkun e Elbasanit, Aqif Rakipi, dhe ai i LSI për Qarkun e Beratit, Gledion Rahovica, preken nga ligji i Dekriminalizimit. Dy deputetët nuk kishin deklaruar ndalimin nga policia në Itali”.

Deputeti i LSI-së, Gledjon Rehovica, sipas Prokurorisë, rezulton të jetë arrestuar në vitin 1999 në Itali për “vjedhje dyqani”. Ai mohoi akuzat e Prokurorisë duke thënë se ka qenë student në Romë gjatë kohës për të cilat flet akuza e Prokurorisë. Ndërkohë Deputeti Aqif Rakipi akuzohet për përdorim të materialeve të vjedhura” me identitetin, Skënder Ejybegaj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: