Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Hoti, për heqjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Veseli në një postim të tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Qeveria Hoti ka larguar vendimin mashtrues, i cili është vijimi i një kurthi të ngritur nga Albin Kurti para ikjes nga pushteti, si shantazh politik dhe hakmarrje për t’i vendosur një tjetër pengesë Kosovës.

Veseli tha se lufta për pushtet ka verbuar të dyja këto qeveri që dolën pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duke keqpërdorur kauzat qytetare.

Postimi i plotë i Veselit:

“Reciprociteti, taksa, demarkacioni, ashtu si dhe dialogu u keqpërdorën në vazhdimësi për interesa të politikës ditore nga një grusht partish politike që ndryshojnë qëndrime varësisht nëse janë në pushtet ose në opozitë. Ato asnjëherë nuk menduan për interesat e qytetarëve dhe të vendit, dhe kurrë nuk u sollën me pjekuri karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve mike evropiane. Kauzat elektorale që mashtrojnë qytetarët dhe i zhgënjejnë çdo ditë, mbetet busulla e vetme e veprimit të tyre politik.

Sot, Qeveria e status quos dhe vazhdimit të mashtrimit, largoi vendimin mashtrues për reciprocitetin, dhe mirë ka bërë. Por, është vijim i një kurthe të ngritur nga Albin Kurti para ikjes nga pushteti, si shantazh politik dhe hakmarrje për t’i vendosur një tjetër pengesë Kosovës.

Por, ku po mbetet pjekuria dhe serioziteti ndaj partnerëve të shtetit të Kosovës, SHBA dhe BE, si dhe interesi i qytetarëve, me të cilin abuzohet turpshëm dhe për qëllime të pastra elektorale.

Lufta për pushtet ka vërbuar të dyja këto qeveri që dolën pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duke keqpërdorur kauzat qytetare dhe dëmtuar interesat afatgjate nacionale të Kosovës. PDK-ja është partia e vetme që do ta përmbyllë misionin e nisur të shtetndërtimit, rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në BE dhe NATO”, ka shkruar Veseli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb