Ish-ministri i bujqësisë, Edmond Panariti me anë të një deklarate për shtyp e ka cilësuar shashkë elektorale njoftimin e sotëm të Edi Ramës se nafta për fermerët nga 2021 do të jetë pa akcizë, taksë qarkullimi dhe atë të karbonit.

Panariti thotë se e vetmja zgjidhje për fermerët është paraja në dorë për të kompensuar heqjen e taksave. Sipas tij, nafta për të cilën flet kryeministri e ka më të lehtë dhe më afër të rishitet në treg të zi ose të shkojë në serbatorët e veturave.

Ai kërkon që qeveria t’u japë fermerëve 272 milionë eurot e premtuara në 7 vite, pasi në po kaq vite u dha vetëm 30 milionë euro.

 

DEKLARATA NGA EDMOND PANARITI

Deklarata për mediat e ish Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti

Fermerët ndihmohen vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me para  në dorë. Ashtu siç bën Evropa, ashtu siç bëjnë fqinjët. Jepuni atyre 272 milion eurot e premtuara sepse në 7 vite u dhatë 7 herë më pak, vetëm 30 milion. Pushteti shpërndarës dhe pompist i naftës pa akcizë për fermerin, mbi bazë vetë deklarimi online të sipërfaqes së pa punuar dhe të pa mbjellë, është thjesht demagogji dhe shashkë elektorale.

Ajo naftë nuk do të shkojë për bujqësinë, sepse e ka më të lehtë dhe më afër të rishitet në treg të zi ose të shkojë në serbatorët e veturave. Prandaj, nuk ka rrugë tjetër për çmimin e efekteve të naftës pa akcizë për fermerët, përveç pagesës së tyre me para në dorë si subvencion direkt për naftën. Pagesë dhe para vetëm mbi bazën e punës së kryer dhe të matur, të plugimit, të mbjelljes së tokës, kjo është zgjidhja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb