NGA SAIMIR TAHIRI*

Ibrahim, 
Jemi mbledhur këtu, vëllai ynë!
Për të të thënë lamtumirë, tani që po shkon në shtëpinë tënde të fundit. Është familja jote këtu. Është nëna dhe motrat, është babai, është vëllai yt i vogël, janë dajat, xhaxhallarët.
Janë miqtë, shokët dhe kolegët e tu. Është çdo shqiptar sot me ty. Kjo është Familja jote e madhe.
E përulemi para teje me mirënjohje e respekt të thellë, Ibrahim.
Fati i keq e deshi që një dorë e pabesë të të merrte jetën. 
Dora e frikës dhe terrorit, që padrejtësisht u ngrit mbi ty. 
Jo përballë, siç u ka hije trimave. Siç i ka hije një trimi si ty. Por fshehtas, pabesisht.
Ka shumë dhimbje këto 24 orë! Të mund të shihje sa shokë e miq ke pasur në të gjithë Shqipërinë e sa shumë të janë bërë. 
E gjithë Shqipëria, anembanë, është me ty, po të përulet me mirënjohje Ibrahim. 
Thonë se heronjtë njihen kur flenë nën dhe, por ti hero ishe edhe për së gjalli. Me shokët e tu, të vendit tënd e të huaj, në forcat e Aleancës së Bashkuar, duke luftuar në ato vendet e largëta e me luftë të vërtetë, për ta bërë botën më të mirë, më të drejtë, më të lirë e më demokratike.
E tani e gjithë Shqipëria u shtang, pse dora e terrorit të mori jetën, këtu në vendin tënd. Ku luftë nuk ka, por ku për më shumë se dy dekada ka pabesi të pashoq, që ka mbjellë plagë të neveritshme në trupin e vendit tonë.
Siç ishte edhe fshati ku ca kriminelë të morën jetën ty.
Luftove për të bërë të lirë e të sigurt vende të tjera e popuj të tjerë, por jetën e dhe për popullin tënd e për vendin tonë.
Në atë fshat të mbajtur peng për dekada, për t’i marrë lekët e drogës dhe votat e pushtetit. Ku turpi i trashëguar mbi kurrizin e të gjithëve çoi në këmbë djem si ti për t’u bërë ballë vështirësive për një Shqipëri të re.
Dora e pabesë që u ngrit mbi ty ka mbi dy dekada që rritet për t’i bërë karshillëk Shqipërisë, për të sfiduar shtetin, ligjin dhe drejtësinë. Ajo dorë, dje të mori jetën. 
Në atë fshat me plot njerëz të ndershëm, por ku kanë mbetur ende ca kriminelë të përdorur. Të cilin vjet e çliruam nga droga e krimi, por që nuk kemi mbaruar. 
Se ti dhe shokët e tu në Policinë e Shtetit, në FNSH dhe Repartin RENEA dini diçka që publiku jo shpesh e di. 
Krimit i mjafton të ketë sukses 1 herë në 100 apo 1000 raste. Qoftë një herë të vetme. Ndërsa policisë i duhet të ketë sukses çdo herë. Punonjësit të policisë i duhet të ketë sukses çdo ditë të jetës. 
Dhe e djeshmja ishte dita jote pa fat Ibrahim.
Na kanë vrarë të gjithë nga pak miku ynë! Ajo dorë ka goditur shtetin dhe ligjin. 
Është ngritur kundër shoqërisë. Kundër çdo shqiptari të ndershëm. 
Këtë e di familja jote. E dinë miqtë e tu. 
E dinë kolegët e tu në Policinë e Shtetit, që edhe tani janë në Lazarat për të vazhduar punën tënde e për t’i dhënë goditjen e ligjit kujtdo që ka guxuar e guxoi të vërë dorë mbi shtetin, mbi Policinë e Shtetit. Mbi ty, Ibrahim.
Nuk je vetëm, as tani. Çdo punonjës i Policisë së Shtetit është me ty. Ne jemi me ty. Shqipëria është me ty. Tani më shumë se kurrë.
Dhe nuk ka kurajë më të madhe për punonjësit e Policisë së Shtetit sesa jeta jote. Nuk ka shembull më të fortë për të gjithë ata që luftojnë, me armë siç bëje ti, apo në çdo mënyrë tjetër, për ta bërë Shqipërinë një vend më të drejtë.
Ne sot përulemi me respekt e mirënjohje, me premtimin se nuk do të reshtim kurrë të vëmë para drejtësisë dorën e krimit që u ngrit mbi ty. 
Sfidat na bëjnë më të fortë. Vështirësitë na e bëjnë rrugën më të qartë. Sakrifica jote na e bën vullnetin më të hekurt, për ta bërë Shqipërinë më të paqtë e më të lirë nga kërcënimi i frikës. Atdheu nuk mund të kishte miq më të mirë se ty, Ibrahim. Hero për së gjalli, dëshmor sot. Më i gjallë se kurrë.
Prehu në paqe miku ynë, të ndrittë shpirti gjithmonë! 
Lamtumirë!
* Fjala e ministrit të Brendshëm në homazhet për oficerin e rënë të RENEA-s, Ibrahim Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: