Uesli Shnajder ka qenë një nga njerëzit më të besuar të Zhoze Murinjos te Interi dhe e ndihmoi portugezin në fitoren historike në Ligën e Kampioneve me zikaltrit. Por këtë javë ai është një tifoz i Fejnord dhe u ka treguar bashkëkombësve të tij se cilat janë hiletë që përdor portugezi, ndaj të cilit duhet të jenë të kujdesshëm në finalen e Ligës së Konferencës kur të përballen me Romën e tij.

“Ta them me sinqeritet, qesha kur lexova që Murinjo mendonte se ishte e padrejtë që Fejnord kishte një javë më shumë për të përgatitur finalen në Tiranë, pasi Roma po luante ende në kampionat”, tha Shnajder për “De Telegraaf’. “Në vitin 2017 ai ishte i inatosur që Ajaksi kishte 12 ditë për ndeshjen ndaj Mançester Junajtid dhe se ai mund të përgatiste ekipin e tij vetëm në 3 ditë. Është vetëm një lojë psikologjike. Ai ia bën të qartë lojtarëve të tij se sa e padrejtë është ndaj ata duhet të ndëshkojnë këtë ‘padrejtësi’”, shpjegoi Shnajder hiletë psikologjike të Murinjos.

Por sipas tij, ndikimi më i madh është te gjyqtarët e ndeshjes. “Në fushën e lojës ai është në bashkëbisedim të vazhdueshëm me gjyqtarin e katërt. Ka vetëm një objektiv: që ta influencojë. Sigurisht, çdo gjyqtar do të thotë se nuk ndikohet. Por nëse ai arrin të ndikojë qoftë edhe një situatë, atëherë mund të jetë vendimtare. Është Murinjo ai cili gjen gjithmonë diçka. Dhe ai e kupton këtë situatë shumë mirë”, shpjegoi Shnajder rrezikun që i vinte Fejnord edhe nga sjelljet e portugezit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb