Flamurtari do të presë nesër Teutën në sfidën e parë të fazës së fundit të superligës, me kuqezinjtë që përpos 1001 halleve, janë vetëm 2 pikë larg durrsakëve të vendit të tretë dhe në 90 minutëshin e radhës kanë në dorë një mundësi të shkëlqyer për t’i parakaluar ata. Në konferencën e radhës për shtyp të vlonjatëve, ishin Musta e Kale ata që folën për takimin e nesërm.

“Ishte nje fitore shumë e vlefshme për ekipin ajo me Tiranën. Besoj se na bëri shumë punë, sepse ndihemi për ndeshjen e ardhës, që është vërtet shumë e vështirë. E rëndësishme është që ambienti është pozitiv te Flamurtari në këtë moment. Teuta? Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Kam luajtur me Teutën më parë, por pak lojtarë kanë mbetur nga ajo kohë. Ka lojtarë, që sezonin e shkuar ishin me ne në ekip, si Bicaj, Bushiç etj. E përsëris, është një ndeshje radhe, që duhet ta fitojmë”, – ka thënë Musta.

Braziliani Kale ka theksuar se Flamurtari duhet t’i fitojë patjetër ndeshjet brenda: “Ne luajmë në shtëpi dhe ndeshjet në shtëpi duhen fituar të gjitha. Pra, ne luajmë vetëm për tri pikët. Europa është një objektiv i mundur, edhe pse janë edhe disa ekipe qe e pretendojnë aktualisht. Do të luftojmë fort deri në fund për t’ia arritur qëllimit”, – tha Kale.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb