NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Asnjë shfaqje e sezonit artistik 2015-2016 në Teatrin Kombëtar nuk do të kushtojë më shumë se 25 milionë lekë të vjetra. Ky ka qenë një ndër kushtet që bordi i këtij teatri ka vënë për të gjitha projektet e paraqitura për t’u vënë në skenë në sezonin e ardhshëm. Drejtori i TK-së, Hervin Çuli, në përgjigje të interesimit të “GSH”, sqaroi kushtet mbi të cilat janë përzgjedhur shfaqjet e sezonit të ardhshëm dhe fondin tavan që do u jepet nga ky institucion. Deklaratat e tij u bënë në një konferencë, ku u paraqit bilanci i sezonit të shkuar dhe titujt e për sezonin e ardhshëm. Ai pohoi se edhe në rastin kur janë miratuar shfaqje, projektbuxheti i të cilave kap shifrën e 40 mijë eurove, u është bërë e qartë se nga teatri marrin vetëm 25 milionë, ndërsa pjesën tjetër do u duhet ta gjejnë me sponsor.

“Gjithë e gjithë ne kemi një buxhet prej 100 milionësh. Në këto kushte, ne nuk mund të financojmë shfaqje që kërkojnë buxhet të madh. Për këtë arsye, bordi i TK-së vendosi që shuma më e madhe që do u jepet shfaqjeve të jetë 25 milionë dhe në rast se prej tyre ka që shkojnë më shumë, do ta gjejnë vetë sponsorin”, bëri me dije Çuli. Si ilustrim, ai dha rastin e një prej projekteve, paraqitur nga Sulejman Rushti. “Shfaqja e Sulejman Rushtit kushtonte 80 milionë lekë dhe ishte e shkruar nga Klaus Mann. Ne na pëlqeu shumë, por nuk mundemi ta përballojmë. Atëherë u la që nëse ai siguron një pjesë të buxhetit, ne mund të hyjmë sërish në bisedime”.

Sezoni 2014-2015, arritje dhe probleme
Gjatë këtij sezoni janë vënë në skenë 6 produksione të reja plus një privat. Duke e cilësuar si dyfishim në krahasim me 2013-ën, Çuli foli për 138 shfaqje, nga 55 që kanë qenë në 10 vitet e fundit. Numri i spektatoreve sipas tij është rritur: kemi shitur 20 mijë 277 bileta që bashkë me produksionin privat “Vanja, Sonja, Masha, etj.” shkojnë në 33 721 bileta. “E kam gjetur teatrin me 4000-6000 bileta që shiteshin. Kemi bërë kontrata, kemi futur në punë 6 të rinj dhe nuk kam pasur telefonata nga politikanët për punësime, keni qenë të depolitizuar. Ndërkaq, kemi mundur të ngremë një studio provash me kushte të mira. Siç e dini, nga kryeministri e ministrja e Kulturës do të kemi një teatër të ri në qytet. Ky që kemi tani është i amortizuar, është rrënuar nga shirat dhe ka një cedim nga krahu i Torre Drinit. Kaldaja u hoq nga puna për shkak të pedonales dhe do të kemi një plan emergjent për sistem kondicionimi të lëvizshëm”, bëri me dije Çuli.

Sezoni i ri
Sezoni tetor 2015-dhjetor 2016 do të sjellë në skenë gjashtë premiera. Drejtori i TK-së bëri me dije se 22 projektet janë diskutuar në mbledhje pesorëshe të bordit dhe ka pasur shumë debate. “Nuk kemi qenë unison me vendimet, por kemi bërë votim. E në fund, të gjithë janë kënaqur”. Pjesët e përzgjedhura janë: “Sonte do të recitohet pa tekst” e Luigi Pirandelos me regji të Driada Dervishit, “Mallkimi i fukarenjve” e Sam Shepard me regji të Kastriot Çipit, “Zbutja e kryeneçes”, Shekspir me regji të Elma Doresit; “Opera për tre grosh” e Vasllav Havel me regji të Mehmet Xhelilit, “Pushteti i grave” përshtatje nga Aristofani me regji të Spiro Dunit si edhe “Tri motrat” nga Anton Çehov me regji të Hervin Çulit.

Kriteret dhe dera
I pyetur nga “GSH” se cilat kanë qenë kriteret mbi të cilat bordi ka përzgjedhur projektet fituese, Çuli tha: teksti, garancia regjisoriale dhe buxheti (i cili duhet t’u përshtatet mundësive të TK). Mandej ai sqaroi se është pasur parasysh edhe larmia e hapësira në kohë, pasi ka shfaqje që nga Aristofani tek Sam Shepard. Duke u bazuar edhe nga përvoja e vitit të kaluar, ai bëri me dije se është pasur kujdes edhe në përzgjedhjen e regjisorëve, si emra që japin garanci. “Le të themi se e kishim hapur derën shumë. Këtë vit nuk do e mbyllim, por do jemi më të kujdesshëm”, tha Çuli pa sqaruar se kush e ka zhgënjyer.

Vlerësimet
Ky sezon nuk është mbyllur pa vlerësime sa i takon numrit të shfaqjeve dhe cilësisë artistike të aktorëve që kanë interpretuar në Teatrin Kombëtar. Edhe kjo pikë ka qenë pjesë e diskutimit në bordin e Teatrit Kombëtar. “Kemi bërë edhe bilancin e punës së artistëve dhe cilësisë artistike të tyre. Ka shpërblime me një rrogë për ata që kanë qenë shumë të kërkuar nëpër shfaqje, mbi dy role dhe janë katër emra: Sokol Angjeli, Lulzim Zeqja, Indrit Çobani dhe Genti Deçka”, tha Çuli. E mbase më e rëndësishme se kjo, është një tjetër: vlerësimi për cilësinë artistike që ka shkuar për dy femra: Olta Daku dhe Gladiola Harizaj janë shpallur si aktoret më të mira të sezonit.

Vepra në laborator
Me gjithë përpjekjen për drama shqipe në Teatër, këtë vit duket se nuk do të ketë premierë nga autorë shqiptarë. Prej gjithë netëve të leximit, është përzgjedhur vetëm ajo e Ferdinand Hysit “Kompleksi i Edipit”. Edhe kjo do të kalojë në një “provë laboratorike”, pas së cilës do të shihet nëse është e denjë për t’u vënë në skenë. Në këtë pikë, pati edhe ‘kritika’ sa u takon dramaturgëve shqiptarë, që kapen pas së shkuarës, pas komunizmit. Provën laboratorike do e kalojë edhe “Makbeth” në regjinë e Kledi Kapexhiut, për të cilën bordi ka pasur debate, pasi një pjesë e shohin si tepër eksperimentale për skenën e TK-së e një pjesë tjetër jo.

Festivale A & B
Këtë vit Teatri Kombëtar do të marrë pjesë në Festivalin e Teatrove në Bukuresht, që sipas Çulit është një festival i kategorisë A. “Kemi pasur shumë ftesa, por nuk mund të marrim pjesë në çdo festival, sepse ka shumë shpenzime dhe sepse jemi Teatër Kombëtar, e duhet të përzgjedhim. Ka edhe në Shqipëri festivale, por janë të rangut të dytë e të tretë. Ne nuk do marrim pjesë kudo, por do dërgojmë të rinj që të lidhin kontakte”, tha drejtori i TK-së.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb