I vënë nën hetim pas dyshimeve për korrupsion, Aleks Nikolli, një prej tre gjyqtarëve që firmosën pro gjykimit të shkurtuar për Dritan Dajtin, duke e shpëtuar atë nga burgimi i përjetshëm, këmbënguli para kolegëve të Krimeve të Rënda që të rimerrte mbrapsht telefonin e sekuestruar me një vendim të mëparshëm.

Në fund të një seance që u zhvillua me datë 7 mars, Liljana Baku, vendosi ta rrëzojë kërkesën e gjyqtarit të Apelit Shkodër, me argumentin se është mjet që mund të ketë shërbyer për kryerjen e veprës penale.

I kontaktuar përmes telefonit, avokati Marash Ibraj tha se së të hënën do ta apelojnë vendimin në fjalë, të cilin e cilësoi si haptazi te paligjshëm. Sipas mbrojtësit ligjor, në këtë mënyrë gjykatësi pengohet në ushtrimin e veprimtarisë së përditshme.

Sekuestrimi i telefonit, e pengon atë të mbajë kontakt me anëtarët e tjerë të trupës gjykuese, e cila ende se ka zbardhur vendimin për të pandehurin Dritan Dajti. Sipas ligjit, trupa gjykuese ka 30 ditë afat për arsyetimin e vendimit dhe dorëzimin e tij në kryesekretarinë e gjykatës, afat që përfundon sipas përllogaritjeve të hënën, me 11 mars. Më pas, mbetet në dorën e Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, nëse do të bëjë rekurs në gjykatën e Lartë për cështjen Dajti.

Aleks Nikolli dhe dy kolegët e tij të Apelit Vlorë, Petrit Aliaj e Skënder Damini, po hetohen pas dyshimeve për akuzën e korrupsionit për cështjen Dajti. Menjëherë pas dhënies së vendimit për vrasësin e katër oficerëve të policisë në 2009 në Durrës, gjykata urdhëroi kontrollin në banesat e gjyqtarëve. Në shtëpitë e Aleks Nikollit e Petrit Aliajt, nuk u gjetën sende të paligjshme. Ndërsa në banesën e Skënder Daminit, u sekuestrua një shumë prej 17 mijë eurosh, për të cilat gjyqtari tha se i përkisnin të birit, që zotëron biznes.

Gjyqtari Damini u shoqërua në polici dhe pasi u mor në pyetje u la i lirë. Si Daminit ashtu edhe Nikollit, iu sekuestruan telefonat celularë, me dyshimin se në to mund të gjenden komunikime mes tyre dhe të njohurve të Dritan Dajtit. Në kuadër të hetimit, prokuroria ka sekuestruar edhe librat e hyrje-daljeve në paraburgim, duke listuar emrat e personave që janë takuar me Dritan Dajtin, të cilët pritet të merren në pyetje. Pas kalvarit në gjatë të përballjes me drejtësinë, Dajti ia doli të hiqte nga supet burgimin e përjetshëm dhe përfundimiisht u dënua me 25 vite burgim, për atë që u konsiderua si masakra e Durrësit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb