TIRANE- Kur kanë kaluar plot gjashtë muaj prej ditës kur Ardian Bitraj, ish-përgjegjës i Arkës Stok në Thesarin e Shtetit, u vetëdenoncua duke rrëfyer për vjedhjen e 713 milionë lekëve, prokuroria e Tiranës vazhdon ende të hetojë se ku kanë përfunduar paratë. Ndonëse vetë Bitraj këmbëngul se të gjitha lekët i humbi në loto sporti, prokuroria, mbi bazën e informacioneve që merr në rrugë të ndryshme, e ka shtrirë hetimin dhe në pista të tjera. Kohët e fundit janë shtuar dyshimet se një pjesë e parave të vjedhura
janë transferuar jashtë vendit. Në këtë kuadër, prokuroria ka përpiluar dhe dy letërporosi dhe i ka
nisur në dy vende europiane, përmes të cilave ka kërkuar informacion nëse Ardian Bitraj e Mimoza Bruzia, kanë llogari bankare në këto vende. Gjithashtu, është kërkuar informacion edhe për personat e lidhur me ta. Grupi i hetimit është tejet i rezervuar për të dhënë detaje konkrete, pasi të dhënat konsiderohen sekret dhe mund të ketë devijim të hetimeve.
Ndërsa, sa i përket pjesës tjetër të parave, çdo ditë që kalon, prokuroria po krijon bindje se janë humbur nga Ardian Bitraj në loto sporti. Edhe pse, më shumë sesa në prova konkrete, në këtë drejtim, bazohen vetëm në deklarimet e vetë Bitrajt.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: