TIRANE- Prokuroria e Tiranës nisi hetimet mbi dyshimet se zyrtarë të shtetit kanë shpërdoruar detyrën kur kanë nxjerrë fitues në tendera një ish-të dënuar droge, siç është Edmond Bego.

Pavarësisht ligjit të qartë, ish i dënuari besohet se ka përfituar nga fondet publike. Hetimet kanë nisur kryesisht menjëherë pasi Partia Demokratike denoncoi abuzimin me legjislacionin e prokurimit publik. Demokratët që e kthyen Begon si një kazus denoncues vunë në lëvizje akuzën me pretendimin e tyre se Edmond Begos i është dhënë tenderi i OST-së me vlerë 100 milionë lekë.

Organet shtetërore duhet të përjashtojnë çdo ofertues që ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për çështje droge. Sipas këtij ligji, është detyra e Autoritetit Shtetëror Kontraktor që të marrë të dhëna nëse subjekti ofertues ka qenë i dënuar apo jo. Ky ligj është në fuqi që në vitin 2006.

Përveç kësaj shkeljeje, për të cilën prokurorët e kryeqytetit po mbledhin dokumentacion, nga ana tjetër edhe Prokuroria për Krimet e Rënda është vënë në lëvizje. Aty po rihetohen pasuritë e 48-vjeçarit, për të parë edhe një herë nëse ish-trafikanti që hapi vitet e fundit disa kompani, çfarë asetesh ka dhe a e justifikon krijimin e tyre.

Pas arrestimit në Greqi, Edmond Bego, një ish i dënuar nga drejtësia italiane me 21 vjet burgim, gjatë verës u kthye në qendër të vëmendjes. Autoritetet greke e liruan pasi nuk rezultonte i kërkuar, përderisa në atdhe i ishte konvertuar dënimi nga 21 në 4 vite burgim. Pas këtij telashi të mbyllur, megjithatë, Begos iu hap në Shqipëri një kapitull tjetër në të cilin duhet t’i vërtetojë prokurorisë se nga i burojnë pasuritë, një sfidë të cilën nuk është çudi ta fitojë si edhe herën e parë./tch/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb