Pasi ishte në Prokurorinë e Durrësit, kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela ka shkuar në Krujë, për t’u njohur me situatën pas hetimeve të nisura pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor. ‘BalkanWeb’ mëson se kryeprokurori po zhvillon një takim me prokurorët e Krujës, ku në fokus ngelet fakti që të vihet drejtësi nëse konstatohen shkelje në të gjitha ndërtesat e shembura. Kujtojmë se Qarku i Durësit ishte ndër më të prekurit nga tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, ku vetëm në Thumanë humbën jetën 22 persona.


Një ditë më parë ndërsa mori detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, Çela kërkoi rezultate nga hetimet e nisura lidhur me dëmet e shkaktuara nga tërmeti që mori 51 jetë njerëzish dhe shkatërroi qindra banesa në Tiranë, Durrës e Thumanë.


Sipas njoftimeve zyrtare, pjesë e hetimeve të cilat kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim Detyre”, “Ndërtim pa leje” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”, janë lejet e ndërtimit të lëshuara nga autoritetet vendore, zbatimi i tyre nga ndërtuesit, si dhe rastet e ndërtimeve abuzive dhe mungesa e ndërhyrjes së autoriteteve përgjegjëse.
(BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb