Një hetim i nisur nga SPAK në fokus të të cilit ka qenë gjyqtarja Enkeleda Hoxha ka nxjerrë në pah tre aktivitete kriminale, duke zgjeruar fokusin e hetimeve që çuan në pranga 10 persona dhe dhënien e masave për disa të tjerë.

Një prej të arrestuarve është dhe Shkëlqim Korbi eksperti psikiatriko-ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”.
Gazetarja Klodiana Lala duke iu referuar burimeve, raportoi për “BalkanWeb” se Korbi ka firmosur një akt ekspertimi në favor të një të akuzuari për dhunë në familje.

Bëhet fjalë për shtetasin Oriol Keçi nga Mati, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, po shqyrtonte kërkesën me objekt revokim të masës mjekësore “mjekim i detyruar spitalor”, pasi sipas ligjit çdo vit ose çdo 3 muaj bëhet një ekspertim i ri për personin e dënuar dhe në këtë rast mjeku i IML ka bërë një raport në favor të dënuarit.

Rezulton se fillimisht ky ekspert ka përgatitur aktin e ekspertimit psikiatriko – ligjor të këtij shtetasi dhe më tej e ka depozituar në sekretarinë e mjekësisë – ligjore. Ky akt ekspertimi ishte në disfavor të kërkuesit. Pas ndërhyrjeve të të interesuarve, eksperti ndërhyn tek sekretaria e mjekësisë ligjore duke rimarrë aktin e dorëzuar dhe përgatitur një akt të ri që përmbush kërkesat e Keçit.

Lala sqaroi se hetimi ka nis për gjyqtaren Enkeleda Hoxha. Ndërkohë që në këtë skemë të kundraligjshme ishte përfshirë dhe sekretarja gjyqësore Emanuela Mallkuçi, e cila në një rast ka siguruar kundrejt marrjes së përfitimit të parregullt që kërkesa e të dënuarit Saimir Petani të kalonte për shqyrtim tek gjyqtarja Hoxha.

Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu edhe se e hetuara Manuela Mallkuçi i ka dhënë drejtpërdrejt përfitim të parregullt shtetasit Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion mamanë e saj. Në këtë skemë të kundraligjshme janë përfshirë dhe shtetaset Trendafile Frangu dhe Migena Skenderi, të cilat kanë konsumuar elementët e veprave penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/2 i Kodit Penal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: