2.6 ton drogë e kapur disa ditë më parë në një kamion në Malin e Zi është ngarkuar në Lushnje.

Në këtë përfundim dolën hetimet e policisë shqiptare dhe asaj malazeze pas një pune të përbashkët.

Në pranga ranë 2 persona Arlind Tabaku dhe Përparim Shurdhi si dhe u shpall në kërkim një tjetër, ndërsa më herët në pranga kishte rënë drejtuesi i kamionit Ervis Çaliku.

Policia e Shtetit, menjëherë pas shkëmbimit të informacione paraprake me homologët malazezë, dërgoi në Malin e Zi, një grup specialistësh të Hetimit të Narkotikëve nga Departamenti i Policisë Kriminale.

Nga veprimet e para rezultoi se kamioni i cili ishte nisur nga Greqia , ishte ngarkuar me lëndë narkotike në magazinën në pronësi të Përparim Shurdhit i ndihmuar nga Arlind Tabaku dhe personi i shpallur në kërkim. Të dyshuarit kishin falsifikuar dhe vulat e ngarkesës për tu dukur të paprekura.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar prova të shumta që do të çojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë me prova ligjore të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: