Një hetim i nisur nga autoritetet zvicerane zbuloi një rrjet të trafikut të drogës në Zvicër e Gjermani, teksa përfshirja e personave të tjerë, përveç atyre të identifikuar, një i arrestuar në Shqipëri si organizator nuk mohohet. Sipas provave të administruara rezulton se shtetasit Etmond Merja dhe Ndriçim Harka janë të përfshirë si organizatorë në këtë veprimtari kriminale. Ndriçim Harka, është arrestuar tashmë nga policia, teksa kunati i tij Merkja është shpallur në kërkim.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se hetimi ka nisur në 2015 në një kanton të Zvicrës dhe më pas përmes përgjimeve është arritur të zbërthehet i gjithë aktiviteti.

“Ka nisur me bllokimin e një sasie të vogël lënde narkotike, ku është arrestuar një shtetas shqiptar, i cili është vënë nën përgjim dhe më pas është zbuluar i gjithë rrjeti.
I gjithë operacioni është finalizuar me ndihmën e përgjimeve ku të gjithë personat flisnin për çështjen e trafikut të drogës. Harka ka udhëtuar disa herë në drejtim të Zvicrës dhe Gjermanisë ku koordinonte punën e grupit kriminal. Personat e arrestuar kanë ndihmuar hetuesit për zbulimin e gjithë grupit.
Nga 5 të arrestuarit në Zvicër, 3 janë shqiptarë. Prokuroria nën drejtimin e prokurorit Bledar Valikaj ka dyshime se ka dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal ndaj janë duke u kryer hetime”, raportoi Lala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb