Avokatët e Presidentit amerikan Donald Trump janë në bisedime me hetuesit e FBI-së rreth një interviste të mundshme me presidentin si pjesë e hetimit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016, shkruan NBC News.

Duke cituar 3 burime, NBC tha se avokatët e Trump ishin takuar me përfaqësuesit e zyrës së Prokurorit Mueller në fund të dhjetorit për të diskutuar opsionet e mundshme të një interviste të tillë, duke përfshirë vendin dhe kohëzgjatjen si dhe standardet ligjore.

Robert Mueller u caktua nga Departamenti i Drejtësisë për të hetuar akuzat për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e nëntorit të 2016 si dhe bashkëpunimin e mundshëm me ekipin e fushatës së Trump.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhje për të ndihmuar republikanin Trump që të fitonte. Rusia ka mohuar ndërhyrjen dhe Trump ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka patur bashkëpunim mes ekipit të fushatës së tij dhe zyrtarëve rusë.

Sakaq Senatori Demokrat amerikan. Richard Blumenthal tha në një intervistë televizive të hënën se priste që Prokurori Mueller do përpiqej të bisedonte personalisht me Kreun e Shtëpisë së Bardhë. “Parashikimi im është se Mueller do intervistojë presidentin personalisht”, tha Blumenthal për televizionin MSNBC.

Avokati i Trump, Ty Cobb tha se Shtëpia e Bardhë nuk do të komentojë mbi komunikimin me zyrën e Prokurorit të Posaçëm por se do vazhdonte të bashkëpunonte plotësisht. Ndërkohë zëdhënësi i zyrës së Prokurorit të Posaçëm, Peter Carr, refuzoi të komentonte.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi të shtunën se ishte i gatshëm të fliste me ekipin e Prokurorit Mueller. “Nuk ka patur asnjë bashkëpunim. Dhe teorikisht, të gjithë më thonë se nuk jam nën hetim” ju tha Trump gazetarëve në Maryland në fundjavë.

(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb