Institucioni arsimor ‘Turgut Ozal’ ka kallëzuar sot në Prokurorinë e Tiranës, Policinë e Shtetit për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas avokatit të kësaj shoqërie, kallëzimi është bërë për 12 punonjës, pasi policia ka kryer kontrolle kundra ligjit në këtë institucion, pas asnjë mandat të dhënë nga gjykata dhe prokuroria.

Avokati tha se shoqëria së fundmi është kontrolluar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga kontrolli i së cilës nuk është konstatuar asnjë parregullsi dhe shkelje. Shoqëria “Turgut Ozal Education” sh.a, po hetohet për veprën penale të pastrimit të parave. Gazetarja e News 24 Klodiana Lala mësoi se pak ditë më parë, policia e ka referuar çështjen në prokurorinë e Tiranës.

“Kanë ndodhur disa kontrolle që i gjykojmë se janë kundra ligjit, i kemi adresuar kallëzimin penal prokurorisë së Tiranës për procedurat përkatëse. Janë rreth 12 persona të kallëzuar. Ka ndodhur një kontroll i paligjshëm. Kanë kryer kontrolle, pa pasur një mandat, vendim gjykate dhe prokurorie. Këto veprime i ka diktuar dhe prokuroria 20 vite më parë. Kontrollet nuk mund të bëhen, veçse duke respektuar kodin.”, tha avokati.

Duke u ndalur tek një audit që është bërë nga drejtoria e Tatimeve, avokati sqaroi se pas konstatimeve gjithçka rezultoi se kjo është një nga shoqëritë që ka zbatuar ligjin.

“Ka pasur një kontroll të drejtorisë së Tatimeve që ka kryer konstatimet e saj dhe ka nxjerrë se është një nga shoqëritë më serioze në vend jo vetëm në arsim por dhe më gjerë. S’di që të jetë komunikuar dhe ka procedim penal, që po zhvillohet hetimi. Fakti është se kontrolli që është bërë nga institucionet tatimore ka qenë se kjo shoqëria ka zbatuar ligjin.”, tha ai. Mes të tjerash ai tha se gjatë kontrollit janë sekuestruar amza, lista me emrat e mësuesve apo dhe të nxënësve.

HETIMET
Gazetarja e News 24, Klodiana Lala raportoi të shtunën për “BalkanWeb” se ka mësuar që policia ka dyshime se kompania me të ardhurat që operon në fushën e mësimdhënies, nuk justifikon me burime të ligjshme blerjen e disa pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Konkretisht është referuar si i dyshuar njëri nga administratorët e kompanisë, Blendar Dyrmishi.

Përgjatë ditëve të fundit, i gjithë dokumentacioni i kësaj shoqërie është verifikuar nga institucionet tatimore në vend. Institucioni arsimor privat që operon në Shqipëri prej vitit 2001, ndryshoi pronar tri vite më parë.

Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të biznesit, rezulton se blerësi është BF Cooperatief U.A, një kompani e regjistruar pranë Dhomës Tregtare të Amsterdamit. Vlera e shitjes rezulton rreth 10 milionë dollar. Aksionerët që kanë shitur kuotat janë shtetasit turk Rahmi Tozduman, Davut Hancioglu, Adnan Hosoglu.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb