Andia Pustina është paraqitur në SPAK këtë të mërkurë ku iu komunikua akuza lidhur me hetimet që Prokuroria Speciale ka zhvilluar për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, raporton për BalkanWeb gazetari Igli Çelmeta.
Pustina u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK, ndërsa iu komunikua akuza e pastrimit të parave. Andia Pustina është zotëruese e studios ligjore “Pustina”, në të cilën janë bërë të gjitha kontratat. Ajo konsiderohej si e besuara e kompanisë “Homeplan” e krijuar me një marrëveshje verbale mes Fatmir Bektashit, Jamarbër Malltezit dhe Xhimi Begesë.
Më herët SPAK i ka komunikuar akuzën edhe ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, biznesmenit Fatmir Bektashi dhe një prej trashëgimtarëve, Xhimi Begeja.
Referuar dëshmive që ka dhënë biznesmeni Bektashi, Pustina përgatiste dokumentacionin, qoftë në aspektin juridik ashtu edhe financiare për kompaninë.
“Të gjitha aktet që lidhen me aktivitetin e shoqërisë “Homeplan” si nga ana financiare dhe juridike i kanë përgatitur Andia Pustina dhe unë vetëm i nënshkruaja. Dua të sqaroj se shoqëria “Homeplan” nuk ka pasur asnjëherë arkë dhe çdo gjë, çdo veprim financiar është kryer nëpërmjet llogarive bankare. Edhe tërheqja e dividentit kryhet në të njëjtën mënyrë. Edhe në lidhje me vendimmarrjet e shoqërisë “Homeplan” unë nuk kam ndonjë rol, pra që të shpreh mendim për vendimet e shoqërisë. Unë nuk kam marrë pjesë pra në procesin e vendimmarrjes por vetëm i nënshkruaja ato që përpilonte Andia Pustina. Për nënshkrimin e çdo akti që lidhet me shoqërinë “Homeplan” unë shkoj tek zyra e Andia Pustinës, që ndodhet përballë librit Universitar dhe i nënshkruaj aty. Mua me telefonon Andia për të vajtur dhe për të nënshkruar…” – ka deklaruar më parë Fatmir Bektashi.
(BalkanWeb)