Qindra protestues kanë dalë në rrugët e qyteteve të mëdha në Shtetet e Bashkuara duke kërkuar mbrojtje të Këshilltarit Special, Robert Mueller, i cili është duke hetuar lidhjet e mundshme në mes të Rusisë dhe fushatës zgjedhore të presidentit amerikan, Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.


Protestat që kanë nisur në orët e vona të 8 nëntorit kanë ndodhur në kohën kur demokratët në Kongres kanë kërkuar mbajtjen e seancave dëgjimore urgjente lidhur me shkarkimin e Jeff Sessions nga pozita e Prokurorit të Përgjithshëm, meqë Trump e ka kritikuar atë vazhdimisht për shpëtim të vetes nga hetimet e Muellerit dhe mosgatishmëri për të ndërhyrë në to.

Qindra persona të mbledhur në Nju Jork kanë mbajtur në duar mbishkrime në të cilat thuhej “Askush mbi ligjin” dhe “Duart larg Muellerit”.

Në Çikago, senatori demokrat, Dick Durbin u është bashkuar qindra protestuesve ndërsa rreth 500 persona të tjerë janë mbledhur afër Shtëpisë së Bardhë në Uashington.

Protesta lidhur me këtë çështje janë mbajtur edhe në Grinsboro, Karolinën Veriore, Tenesi, Las Vegas, Nevada dhe disa vende tjera.

Organizatorët e protestave kanë thënë se emërimi i Matthew Whitaker si ushtres detyre i Prokurorit nga ana e Trumpit “ka qenë përpjekje për të dëmtuar hetimet e Këshilltarit Special”.

Trump fillimisht ka kërkuar dorëheqjen e Sessionsit, më pas e ka zëvendësuar atë me Whitaker si dhe ka kritikuar hetimet e Muellerit, duke kërkuar kufizim të tyre, shkruan rel.

Presidenti amerikan, i cili vazhdimisht ka thënë se ka autoritet për të shkarkuar Muellerin, këshilltar i pavarur, i emëruar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, i ka cilësuar vazhdimisht hetimet lidhur me Rusinë si “gjueti shtrigash” dhe është ankuar që Sessions nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.

Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway, ka thënë më 8 nëntor se Trump nuk ka udhëzuar Whitaker të kufizojë hetimet rreth Rusisë.

Mirëpo këto deklarata nuk duket se kanë bindur protestuesit apo demokratët, që kanë fituar kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e mbajtura për Kongres.