TIRANE

Hetimeve për dëmet që la pas tërmeti i 26 nëntorit në vend, do t’i shtohen edhe 7 ekspertë italianë. Gazetarja Klodiana Lala tha për “BalkanWeb” se ekipi i ekspertëve italianë ka mbërritur tashmë në Shqipëri dhe do të asistojë Prokurorinë e Durrësit në hetimet për tërmetin shkatërrimtar.

Vizita në Tiranë u krye me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm  z.Olsian Çela, me ndihmën e misionit Pameka në Shqipëri. Delegacioni kryesohej nga  dy prokurorë të prokurorisë së Aquilas z. Fabio Picuti dhe  z. Michele Renzo. Qëllimi i vizitës është  dhënia e asistencës teknike  mbi hetimet që lidhen me pasojat e tërmetit të datës 26 Nëntor 2019. Ata u takuan sot me kryeprokurorin Çela, ndërsa nesër do të zbarkojnë në Durrës. Ekspertet kanë qenë pjesë e hetimeve që nisën në Itali pas tërmetit në L’Aquila, ku gjithashtu pati viktima në njerëz e dëme të konsiderueshme materiale.

  • foto galeri
  • foto galeri

Delegacioni Italian përfaqësohet nga 2 prokurorë të Aquilas përgjegjës për hetime të ngjashme në Itali, një inxhinier si edhe 2 oficerë të policisë gjyqësore.

51 persona humbën jetën në vend nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa shkatërroi qindra banesa në Tiranë, Durrës e Thumanë. Në qytetet e prekura nga tërmeti prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale “Shpërdorim Detyre”, “Ndërtim pa leje” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb