Bashkia e Tiranës ka hedhur shortin e dytë për përzgjedhjen e apartamenteve në pallatet e reja të ndërtuara në lagjen e re, “5 Maji”, ku do të sistemohen familjet e mbetura pa strehë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Pas 58 familjeve të para që janë futur tashmë në këtë lagje, u hodh shorti publik edhe për 125 familje të tjera, ku, përmes një procesi të hapur dhe transparent, familjarët, ose përfaqësuesit e tyre, përzgjedhin shtëpinë e tyre të re, në të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë me shtëpinë që kishin përpara tërmetit.

Shorti u krye nga Komisioni i Posaçëm i ngritur me urdhër të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas verifikimit të dokumentacionit të përgatitur prej dy njësive, Njësisë nr 8 dhe Njësisë nr. 4 ku kanë aplikuar familjet që do të strehohen në lagjen e re.

Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, edhe banorët që preken nga ky projekt përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që janë ndërtuar, ose po përfundojnë ndërtimin, në lagjen e re “5 Maji”.

Përfituese janë edhe ato familje që i kanë pasur banesat në proces legalizimi, duke përfituar po të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, por në godinat e reja dhe me dokumente tërësisht të rregullta.

Nga ky projekt transformues i gjithë zonës së “5 majit”, kanë përfituar edhe familjet të cilat kanë pasur ndërtime pa leje, duke u shpronësuar 100% e sipërfaqes së objektit pa leje.

Lagjja e re “5 Maji” po kthehet në një qendër të re urbane për plot 11 mijë banorë, me apartamente cilësore, njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe, godina institucionesh, parqe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: