Federata Shqiptare e Futbollit ka hedhur shortin për Kategorinë e Dytë. Për herë të parë në këtë Kategori do të luajnë disa skuadra emblemë të futbollist si Flamurtari i Vlorës, Elbasani apo ekipi i ri i Gjirokastrës, AF Luftëtari.

Vlora do të jetë e përfaqësuar me tre skuadra në këtë kategori, teksa në grupin e jugut do të luajnë Flamurtari me Labërinë ndërsa Oriku spostohet në grupin e Veriut.

Po ashtu edhe Elbasani ka kaluar me grupin verior kurse AF Luftëtari do të jetë në jug.

Në grupin A, Elbasani e nis me transfertën në Velipojë ndaj Adës ndërsa në javën e tretë përballet në derbin e qarkut me Gramshin.

Ndërkohë në grupin B, Flamurtari e nis nga transferta e Memaliajt kurse AF Luftëtari pret Përmetin në një miniderbi të qarkut. Derbi i shumëpritur AF-Luftëtari-Flamurtari zhvillohet në javën e 9-të kurse derbi i Vlorës mes Flamurtarit e Labërisë zhvillohet në javën e 3-të.

Risia tjetër në grupin e jugut është se qarku i Gjirokastrës do të ketë 5 ekipe, AF Luftëtarin, Tepelenën, Memaliajn, Këlcyrën dhe Përmetin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb