TIRANE – Pas rrëzimit me dy votimet e para në parlament, ku nuk u bënë 94 vota pro, nënkomisioni ad-hoc përsëriti këtë të hënë për herë të tretë shortin manual dhe përzgjodhi listën me emrat e 10 kandidatëve jogjyqtarë e joprokurorë për 5 vende në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Mes të përzgjedhurve nga radhët e avokatisë është edhe Alban Toro, i cili rezulton të jetë bashkëshorti i gjyqtares së Apelit, Elona Stavri.

LISTA E FITUESVE
Fatmira Luli fitoi nga radhët e avokatisë për KLGJ, po ashtu edhe Alban Toro.

Erion Muharremaj fitoi nga radhët e pegadogëve për KLGJ. Naurela Llagani u përzgjodh me short nga radhët e shoqërisë civile.

Më pas u hodh edhe shorti për anëtarët e KLP, nga të cilët Tartar Bazaj u përzgjodh  nga radhët e avokatisë ndërsa Genti Ibrahimi dhe Sandër Beci nga radhët e pedagogëve. Alfred Balla u zgjodh nga radhët e shoqërisë civile.

Anëtari i PD në këtë komision, Oerd Bylykbashi ka kundërshtuar listën pasi sipas tij është në thyerje të konsesnusit politik. “Janë përzgjedhur persona që kanë marrë gjyqe politike, janë skualifikuar nga ONM,  nuk kanë paguar taksa apo kandidatë që kanë bërë plagjiaturë”.

Ndërsa kryetari Ulsi Manja është shprehur se “ne si shumicë nuk e donim shortin por është i vetmi mekanizëm zhbllokues”

Pak më herët komisioni ‘Ad Hoc’ ka përjashtuar nga gara për të qënë anëtar i KLP Kozma Janon, i akuzuar nga opozita si ish-sigurims i Shtetit me pseudonimin ‘Telefoni’. Manja tha se ka ardhur një kërkesë nga  autoriteti për hapjen dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe kërkoi përjashtimin e tij nga gara, ndërsa komisioni e aprovoi pas votimit.

“Autoriteti për hapjen e dosjeve të sigurimit kërkon një hetim me të thelluar për kandidatin Kozma Jano. Kërkoj nga nënkomisioni meqë ka nisur një hetim i thelluar që ky kandidat të mos jetë  pjesë e shortit për anëtar për KLP nga radhët e prokurorisë”- tha Manja.

Kozma Jano u përzgjodh në pesëshen e parë të shortit për në KLP, i cili u rrëzua nga Kuvendi, ndërkohë që në shortin e dytë emri i tij nuk doli nga goglat fituese.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: