Nga: JULIAN ZYLA*
Kur Hilari Klinton mbajti këtë fundjavë fjalimin e parë të madh të fushatës, mes atyre që përbënin sfondin njerëzor pas krahëve të saj ishin edhe tre shqiptarë: dy vajza me emrin Ana dhe unë. Ndërsa pritëm që kandidatja për presidencën amerikane të dilte për të folur mes përkrahësve të mbledhur në Nju Jork, atmosfera u ndez nga muzika e përzgjedhur, që përfshiu dhe interpretime “live” të dy grupeve muzikore. Një moment emocional ishte interpretimi i himnit kombëtar nga një djalosh i talentuar, që u shoqërua në skenë nga i ati dhe që prej shkopit që mbante në dorë dukej të ishte person me aftësi të (pa)kufizuara.
Hilari Klinton, ish-Zonjë e Parë, senatore dhe Sekretare e Shtetit e SHBA-ve, u prit me shumë entuziazëm nga mijëra të pranishëm. Nëse zgjidhet si shefe e Shtëpisë së Bardhë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ajo do të jetë presidentja e parë amerikane. Zonja Klinton, 67 vjeç, paraqiti në fjalimin e saj çështjet kryesore që do të trajtojë gjatë fushatës, por entuziazmi i përkrahësve arriti kulmin kur ajo tha: “Mund të mos jem më e reja në moshë mes kandidatëve në këtë garë. Por unë do të jem presidentja më e re grua në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Reagimi i papërmbajtur i turmës ndaj kësaj loje inteligjente fjalësh mund të shpjegohet me faktin se të gjithëve na pëlqejnë shakatë dhe pozitiviteti. Atëherë, përse politikanët shpesh bëhen negativë, duke kaluar deri në denigrim të kundërshtarit? Çfarë ka të bëjë me efektshmërinë e komunikimit politik dhe çfarë ka të bëjë thjesht me ndryshimin mes një demokracie të konsoliduar si SHBA-të dhe një regjimi hibrid si Shqipëria?
Ndërsa dëgjova me vëmendje fjalimin e zonjës Klinton, që në zgjedhjet paraprake synon të marrë emërimin si kandidate e demokratëve, vura re se ajo foli shpesh për kundërshtarët republikanë. Kjo ka të bëjë me efektshmërinë e komunikimit politik: për të theksuar ato që një kandidate sheh si avantazhe të saj, ajo duhet të bëjë dallimin mes epërsisë së alternativave që ofron dhe problemeve që shfaqin ato të kundërshtarëve. Dhe në fakt, Hilari Klinton foli për republikanët vetëm në nivel bindjesh mbi tema sociale apo në kuadër të politikave të tyre dhe se çfarë efektesh do të kishin ato mbi vendin dhe popullin amerikan.
Por çfarë do të ndodhte nëse ajo do t’i sulmonte ata nga ana personale? Është e mundur që ne, si përkrahës të saj, të mund të entuziazmoheshim nga një fakt apo akuzë e panjohur më parë kundër një republikani. Por nëse shtypi dhe opinioni publik do të kuptonte më pas se deklarata ishte e pabazë dhe e bërë për përfitim politik, ajo do të shndërrohej në një problem për vetë kandidaten.
Kjo u ndodhi republikanëve në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2008. Kur fushata e senatorit Xhon McCain kaloi në sulme personale kundër demokratit Barak Obama, kampi republikan nisi të akuzohej se po përdorte nënkuptime racore kundër atij që u bë më pas presidenti i parë afrikano-amerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, respektimi i kundërshtarit është një element kyç në demokracinë amerikane: në fushatën e vitin 2012 republikani Mit Romney dhe Presidenti Obama vlerësonin lart vlerat personale dhe familjare të njëri-tjetrit, duke debatuar vetëm mbi principet politike dhe idetë që kishin për të çuar vendin përpara.
Por a funksionojnë sulmet politike ndaj kundërshtarit? Përgjigja është: po dhe jo. “Po” sepse ato mund të bëjnë që njerëzit të humbasin simpatinë ose besimin për personin e sulmuar dhe të mos e votojnë, nëse binden prej akuzave. Por nuk përjashtohet që ata të humbasin simpatinë dhe besimin ndaj akuzuesit, nëse nuk binden prej tyre. “Jo”, sepse sulmet ndaj kundërshtarit, edhe nëse bindin të pavendosurit të mos votojnë për të, nuk garantojnë vota për ty. Pra, askush nuk do të votojë për një politikan sepse po shan një tjetër.
Madje, disa studime kanë arritur në përfundimin se negativiteti dëmton automatikisht imazhin e personit që e përdor, sepse njerëzit shpesh lidhin vetë personin me ngjarjen apo veprimin negativ që ai ndoshta thjesht po tregon ose denoncon. Në fakt, askush nuk ka dëshirë të rrijë me një person negativ, sidomos nëse aty pranë është dikush tjetër që po tregon një histori të rëndësishme, interesante apo për të qeshur.
Në politikë, ndryshimi midis negativitetit dhe gjërave të rëndësishme, interesante apo për të qeshur përbën ndryshimin midis debateve të pafundme personale e politike dhe përparimit ekonomik e social të një vendi. Lajmi më i rëndësishëm nuk mund të jetë se çfarë tha një politikan për një tjetër, por se çfarë thonë dy politikanët për vendin. Ku ndryshojnë planet e tyre? Si mendojnë t’i realizojnë konkretisht? Ku mendojnë t’i gjejnë fondet? Si do të nxisin punësimin dhe ekonominë? Nëse të gjithë politikanëve do t’u duhej dhe do të arrinin të krijonin plane të detajuara dhe të besueshme, ata do të donin të flisnin rreth tyre dhe do të kishin shumë më pak kohë apo dëshirë për të sulmuar kundërshtarët. Dhe ne të gjithë do të kishim më pak negativitet në jetët tona dhe më pak lajme mbi sulme e akuza të ndërsjella, që nuk ndryshojnë asgjë tjetër, përveç volumit të televizorit.
Këtu në SHBA, Hilari Klinton është gati të debatojë me kandidatët e tjerë lidhur me rrugën në të cilën duhet të vazhdojë Amerika. Gjatë fushatës, ajo nuk ka ndërmend të ngrejë akuza personale ndaj askujt prej kundërshtarëve të saj. Por me siguri do të vazhdojë të përdorë shakatë e saj. Gjatë fjalimit këtë fundjavë ajo përsëriti: “Një tjetër avantazh që kam është se, ndryshe nga presidentët meshkuj, mua nuk do të më shihni të thinjem në Shtëpinë e Bardhë. Unë kam vite që i lyej flokët”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: