SHBA- Kandidatja demokrate për president të Amerikës, Hillary Clinton, të hënën ka urdhëruar rregullatorët amerikanë që të përcaktojnë mënyrën se si të sjellin në treg barna me çmime të ulëta më shpejtë dhe të luftohen praktikat anti-konkurruese në industrinë farmaceutike.

Sipas letrave që i ka parë Reuters, kërkesa e Clintonit ndaj Administratës së Ushqimit dhe Barnave dhe Komisionit Federal të Tregtisë erdhi pas asaj që ajo i quajti “veprime skandaloze të Turing Pharmaceuticals”, transmeton Koha.net.

Kompania muajin e kaluar e nevrikosi skajshmërisht Clintonin kur u raportua se çmimi i ilaçit Daraprim, për infeksione të rrezikshme parazitare, shkoni në 750 dollarë për një tabletë nga 13.50 sa ishte më parë.

Pas reagimeve të shumta, pronari shqiptar i kompanisë “Turing”, Martin Shkreli, premtoi se do të ulte çmimin e Daraprim-it.

Në letrën e saj dërguar FDA-së, organ i cili rregullon sigurinë e ushqimit dhe të barnave, Clinton ka thënë se “Turing” ende “nuk e ka ulur çmimin”. Vendimi i kompanisë për “rritje artificiale të çmimit” ka dëmtuar pacientët që varen nga ky ilaç, i cili shpesh përdoret nga ata që kanë sistem të dobët imunitare, ka thënë Clinton.

Clinton, në letrën e saj dërguar FTC-së, ka kërkuar gjithashtu që të hetohet fakti nëse vendimi i kompanisë “Turing” për rritje të çmimit të ilaçit Daraprim përbën shkelje anti-konkurruese.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb