PRISHTINE- Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjes Haradinaj, për vdekjen e babait të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur Hilmi Haradinajn, babain e dëshmorëve të kombit, Luan e Shkëlzen Haradinaj.

POSTIMI I KURTIT:
“Me pikëllim mësuam për ndarjen nga jeta të bacës Hilmi Haradinaj, babait të dëshmorëve të kombit, Luan e Shkëlzen Haradinaj.
Për breza me radhë, trevat shqiptare kanë formësuar dhe kalitur prindër të urtë e të fortë, të cilët qëllim parësor kishin rritjen dhe brumosjen e fëmijëve të tyre në frymën e lirisë dhe atdhedashurisë.
Janë brezat e odave, të fjalës e besës, të parmendës e pushkës, të cilët kishin të rrënjosur thellë dashurinë ndaj tokës e kombit dhe qëndresën në luftën për liri e bashkim. I tillë ishte Hilmi Haradinaj, i cili luftës për çlirimin e Kosovës ia dha katër gjeneralë e dy dëshmorë.

Me rastin e lajmit për vdekjen e bacës Hilmi, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve e të afërmeve, gjithë trevës së Dukagjinit e më gjerë. Qoftë i paharruar kujtimi për Bacën Hilmi!”, ka shkruar Kurti.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb