Sot KQZ-ja i dha zyrtarisht Vangjel Tavos të PS-së mandatin e kryebashkiakut të Himarës, pasi një seri ankimimesh të opozitës dështuan juridikisht. Disa ditë më parë, drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Bledi Çuçi, deklaroi se objektivi i tij si drejtues është që në qarkun Vlorë të sigurohen 9 mandate për PS-në. Të dyja këto lajme kanë një korrelacion statistikor…

Qysh më 2009 (kur PS-ja ishte në opozitë), në bashkitë që përbëjnë qarkun Vlorë, PS-ja ka patur një përkrahje të qendrueshme, si në zgjedhjet parlamentare, edhe në ato lokale. Përjashtim ka bërë vetëm Bashkia Himarë (nga 7 gjithsej të qarkut Vlorë), ku përkrahja është luahtur në intervalin 49%-60% (si rrjedhojë e ndikimit të zgjedhësve që kanë ardhur nga Greqia për të votuar).

Në zgjedhjet e fundit parlamentare (2021), PS-ja mori në qarkun Vlorë 7,618 vota më shumë se ç’i duheshin për 8 mandatet që mori atje – për vetëm 1154 vota nuk arriti të merrte mandatin e 9-të. Në zgjedhjet e 4 gushtit të këtij viti Vangjel Tavo mori 5022 vota – plot 1200 më shumë se sa mori vjet paraardhësi i tij socialist.

Këto shifra tregojnë se me Tavon në krye të Himarës, PS-ja mund ta kapë kuotën e 9 mandateve parlamentare në Qarkun Vlorë. Sidoqoftë mbetet të shihet sesi do të votojnë zgjedhësit e shumtë të qarkut në emigracion, që për herë të parë do të kenë mundësinë të votojnë me postë nga atje ku jetojnë…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb