PRISHTINE- Me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan, Kisha Katolike e Kosovës do të organizojë shtegtimin për në Vatikan, ku më 3 shtator do të interpretohet edhe himni i Nënë Terezës nga artistët e njohur shqiptarë.

Kisha Katolike përveç lajmit për pranimin e kërkesës së ekzekutimit të himnit të Nënë Terezës nga artistët shqiptarë, dha lajmin edhe për emërimin e Don Rrok Gjonlleshak, arqipeshkv i Arqipeshkvisë së Tivarit, emërim ky që u bë nga Papa Francesku.

Imzot Dodë Gjegji, në një konferencë për media tha se “ne jemi të lumtur këtë vit sepse është viti kur do të shenjtërohet Nënë Tereza. Do të kemi mundësinë për të shfaqur edhe koncertin në sallën më të rëndësishme që ka Vatikani”.

“Por unë kam për të dhënë edhe një lajm tjetër të rëndësishëm për Kishën tonë, i nderuari Don Rrok Gjonlleshaj, famulltar i katedrales sot është emëruar nga Papa Francesku, Arqipeshkvi i ri i Tivarit, ky është një gjest mirënjohje për kishën tonë”, bëri të ditur Imzot Dodë Gjegji.

Ne si Kishë Katolike, tha Don Lush Gjergji, dhe populli shqiptar në Kosovë, veçanti Ipeshkvia e Kosovës, dëshirojmë të organizojmë shtegtimin me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Ideatorja e himnit Nënë Tereza, Diana Toska, tha se 3 shtatori i këtij viti nuk do të jetë vetëm datë historike, por do të jetë e papërsëritshme në historinë e popullit shqiptar.

Ajo u shpreh se do të mundohen që ky koncert në Vatikan të jetë madhështor. Aplikimi për shtegtim në Vatikan do të bëhet online në revistën Drita.(KosovaPress)

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: