Nga: ORNELA MANJANI

Të gjithë personat që kanë ndërtuar pa leje dhe janë pajisur me lejen e legalizimit nga ALUIZNI, do të marrin me postë certifikatën e pronësisë nga Hipoteka. Afati ligjor për “shndërrimin” e lejes së legalizimit në tapi është 25 ditë pune ose një muaj kalendarik, që fillon në momentin që ALUIZNI dorëzon në Hipotekë dosjen e aplikimit. Çdo punonjës i Hipotekës që do të shkelë këto afate do të largohet nga puna. Paralajmërimi është bërë dje nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, gjatë një konference me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi, ministren e Inovacionit Milena Harito, kreun e ALUIZNI-t Artan Lame dhe kreun e Hipotekës Ilirjan Muho. “Marrëdhëniet me ALUIZNI-n, çdo qytetar që ka marrë një leje do regjistrohet automatikisht në ZRPP. Kërkesa për informacion shtesë nuk do t’i shkojë më qytetarit, por qytetarit do t’i jepet certifikata e pronësisë me postë brenda afateve”, – tha Manjani. Ministri i Drejtësisë u bëri thirrje punonjësve të ZRPP-ve të zbatojnë me rigorozitet ligjin; në rast të kundër do të përballen me masat. “Deri në fund të vitit, për të gjithë drejtuesit e ZRRP-së nuk duhet të ketë më asnjë aplikim të patrajtuar. Në fund të vitit çdo shifër të jetë e trajtuar; në rast se një aplikim nuk është trajtuar, ikin punonjësit. Nuk pranojmë më teorinë që ‘humbin dokumentet në zyrën e shtetit’. Çdo qytetar që aplikon në ZRPP është në sistem dhe nuk mund të humbë. Kush e humb, kallëzohet për ndjekje penale”, – tha Manjani.
Afati për lejet
Drejtoria e ALUIZNI-t përcjell dokumentacionin e plotë, i përcaktuar ky në VKM nr. 1095, datë 28.12.2015 (në pikën 10), “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZRPP-së dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”. Dokumentacionit, sipas kësaj pike, i bashkëlidhet edhe një kopje e printuar e formularit të aplikimit. Aplikimi kryhet vetëm një herë, ndërsa veprimet e mëtejshme për plotësimin e mangësive të mundshme në dokumentacionin bashkëlidhur “kërkesës për regjistrim”, kryhen nëpërmjet korrespondencës shkresore mes dy institucioneve.
Regjistruesi, brenda 10 ditëve punë nga data e paraqitjes së kërkesës është i detyruar të kryejë regjistrimin, pasi ka verifikuar nëse dokumentacioni i dorëzuar është i plotë dhe i saktë. Brenda 5 ditësh nga data e regjistrimit të lejes së legalizimit, Zyra e Hipotekës i kërkon ALUIZNI-t të njoftojë subjektin përfitues për të kryer pagesën e tarifave të shërbimit në llogarinë bankare të ZVRPP-së. Regjistruesi, në rast se konstaton që ka mangësi në dokumentacionin që shoqëron lejen e legalizimit apo pasaktësi, që e detyrojnë të mos kryejë regjistrimin, njofton drejtorinë e ALUIZNI-t për plotësimin e tyre brenda afatit të përcaktuar në udhëzim. Regjistruesi është i detyruar të kryejë regjistrimin brenda 10 ditëve nga data e plotësimit dhe ridërgimit të dokumentacionit nga drejtoria e ALUIZNI-t. Me konfirmimin e kryerjes nga subjekti të pagesës për tarifat e shërbimit, ZVRPP-ja dërgon në rrugë postare certifikatën përkatëse të pronësisë.
Vendimet gjyqësore
Ministri Manjani tha se do të hartojë një qarkore e cila do të urdhërojë të gjithë gjyqtarët që të mos japin asnjë vendim për çështje pronësie pa qenë palë në gjyq ZRPP-ja, ose të kërkojë nga ky institucion verifikim për pronën, e cila është në gjykim. “Kam një thirrje për gjyqtarët që gjykojnë mosmarrëveshjet në çështjet e pronësisë. Të mos lëshojnë asnjë vendim gjykate të një procesi gjyqësor që nuk është palë ZRPP, ose minimalisht të verifikojë paraprakisht statusin ligjor të pronës. Sepse lëshohen vendime gjykatash dhe kur vijnë në ZRPP prona është e zënë, dhe kjo krijon mbivendosjen. Këshillën dhe sugjerimin do e bëj qarkore me shkrim për të gjithë qytetarët e gjyqtarët që japin vendime. Ata duhet të sigurohen që kanë marrë informacion nga ZRPP-ja, dhe më pas të japin vendimin”, – tha Manjani.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: