Maskat janë të nevojshme për të penguar transmetimin e virusit COVID-19, por së fundmi një studim të cilit i referohet Agroweb.org, shpjegon se ato mund tu japin njerëzve edhe imunitet ndaj COVID-19.

Studimi është publikuar në një prej revistave më të respektuara mjekësore në botë, New England Journal of Medicine.

Në të vërtetë, bëhet fjalë për një teori premtuese sipas së cilës, mbajtja e maskave e zbut egërsinë e virusit dhe siguron që infeksionet e reja të jenë më shumë asimptomatike.

Sipas akademikëve, hipoteza që maskat mund të ofrojnë një imunitet ndaj Covid-19 varet tek teoria e variolacionit, një teknikë shekullore e imunizimit.

Variolacioni është një praktikë, e cila sugjeron infektimin e qëllimshëm të njerëzve me doza të ulëta të një patogjeni për të gjeneruar një përgjigje imune që parandalon ri-infektimin.

Kjo teknikë është përdorur prej shumë kohësh për të krijuar imunitet masiv për njerëz që preken nga lia, por më pas vendin e saj e zuri vaksina moderne.

Studimi mbështet edhe pretendimet e mëhershme mbi rolin përcaktues që ka ngarkesa virale tek ashpërsia e sëmundjeve të shkaktuar prej COVID.

Si Ndikon Sasia e Virusit Në Organizëm Në Mbijetesën e Njeriut?
Një studim i publikuar më herët nga Public Health England’s National Infection Service në Porton Down, Salisbury, argumentoi se sa më e lartë të jetë ngarkesa e virusit në organizëm, aq më të larta janë gjasat e vdekjes së parakohshme prej tij.

Një argument i tillë është e konfirmuar në rastin e gripit të thjeshtë.

Në vitin 2010, u bë një studim shkencor mbi këtë çështje dhe u zbulua se ekspozimi i ulët ndaj virusit shoqërohet me një nivel të ulët sëmundshmërie.

E fundit por jo për nga rëndësia, ekspertët thonë se përdorimi i gjerë i maskave, ul rrezikun e ekspozimit ndaj virusit por edhe të infeksionit, problemeve pasuese dhe vdekjes së parakohshme.

Maskat, Një Mburojë Për Ju Dhe Të Tjerët
Ekspertët thonë njëzëri se secili prej nesh duhet të vendosë maskë sa herë që del në ambiente të jashtme ku ka njerëz.

Maskat shërbejnë si një barrierë fizike që ju ndan ju nga të tjerët, ose më saktë nga spërklat që lëshojnë ata nëpërmjet të folurës, kollës dhe tështimës, por edhe anasjelltas.

Pra, maskat ju mbrojnë ju prej të tjerëve por edhe të tjerët prej jush, në rast se ju jeni prekur nga COVID-19 por nuk keni simptoma.

Një tjetër element që nuk duhet të harojmë është larja e duarve.

Nëse ju mbani maskë, ama pas çdo blerje ktheheni në shtëpi dhe nuk lani duart, atëherë jeni shumë të rrezikuar.

E rëndësishme është gjithashtu që të maskën të mos e prekni me duar të palara sepse rrezikoni përhapjen e baktereve dhe virozave në të, që më pas futen më lehtë në rrugët e frymëmarrjes./AgroWeb.org

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb