Ministrja e Europës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, në fjalën e saj në aktivitetin kushtuar 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe ShBA-ve, deklaroi ndër të tjera se “kjo është një marrëdhënie që është kaq e fortë dhe e konsoliduar sa nuk arritën ta zhbëjnë e ta zbehin as 50 vjet komunizëm”.

Xhaçka shtoi më tej se Shqipëria është sot një realitet krejt tjetër nga ai i 100 vjetëve më parë, “apo nga ai realitet i dhimbshëm që gjeti Sekretari Baker 30 vjet më parë kur rilindi kjo marrëdhënie e shkëputur në mes për interesa të një regjimi diktatorial”.

“Se çfarë ndodhi 100 vjet më parë, sigurisht unë e kam mësuar nga librat e dokumentet e arkivës. Por 30 vjet më parë, edhe pse ende fëmijë, unë pata fatin të jem, hipur kalaqafë mbi supet e tim ati, vetëm pak metra nga këtu, kur Shqipërinë e vizitoi Sekretari Baker. Nuk i mbaj mend fjalimet e deklaratat, por e mbaj mend shumë mirë atmosferën e festës, e mbaj mend shumë mirë entuziazmin e optimizmin e atij sheshi të mbushur plot e përplot.

Dhe besoj që nuk kishte pohim më të qartë të asaj që ndjenin vërtet shqiptarët për Shtetet e Bashkuara dhe të mënyrës sesi i shihnin në të vërtetë shqiptarët Shtetet e Bashkuara, pavarësisht propagandës së regjimit sesa ai shesh e ajo energji e jashtëzakonshme. Dhe kur hedh sytë mbrapa, në 30 vitet e fundit, i vetmi përfundim ku mund të arrish është që koha e ka justifikuar atë besim e entuziazëm të shqiptarëve tek Amerika”, tha ajo.

Fjala e plotë:

Ju faleminderit që jeni sot këtu me ne, në këtë aktivitet të organizuar bashkarisht me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të kremtuar 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes vendeve tona.

Teksa përgatisnim këtë aktivitet ekipi i Ministrisë që po merrej me organizimin më tregonte për informacionin që kishin mbledhur nga arkiva e nga bisedat me kolegët e tyre nga ambasada mbi mënyrën sesi ishte kremtuar vendosja e marrëdhënieve 100 vjet më parë. Një atmosferë e vërtetë feste, me muzikë e gëzim ku merrnin pjesë jo vetëm politikanët e paria e asaj kohe, por edhe qytetarë të thjeshtë.

Dhe besoj që është pikërisht kjo, ajo që e bën partneritetin mes Shtetet të Bashkuara kaq të fortë. Kjo nuk është një marrëdhënie e ndërtuar siç ndërtohen rëndom marrëdhëniet mes shteteve, thjesht si lidhje interesash apo objektivash të përbashkëta.

Kjo është një marrëdhënie që është kaq e fortë dhe e konsoliduar sa nuk arritën ta zhbëjnë e ta zbehin as 50 vjet komunizëm gjatë të cilave regjimi u përpoq të zhdukte nga kujtesa e shqiptarëve çdo gjurmë të miqësisë mes vendeve tona duke i shpallur Shtetet e Bashkuara  armikun e përbetuar kundër të cilit shqiptarët duhet të ishin gati në çdo moment të merrnin armët, sepse ajo ngrihet mbi ndjenjat e sinqerta të miqësisë mes dy popujve tanë dhe mbi mirënjohjen e shqiptarëve për atë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për vendin tone.

Duke filluar sigurisht me rolin vendimtar që luajti Presidenti Wilson në garantimin e shtetit shqiptar në fillimet e tij tragjike duke e shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi e sakatimi i mëtejshëm.

Se çfarë ndodhi 100 vjet më parë, sigurisht unë e kam mësuar nga librat e dokumentet e arkivës. Por 30 vjet më parë, edhe pse ende fëmijë, unë pata fatin të jem, hipur kalaqafë mbi supet e tim ati, vetëm pak metra nga këtu, kur Shqipërinë e vizitoi Sekretari Baker. Nuk i mbaj mend fjalimet e deklaratat, por e mbaj mend shumë mirë atmosferën e festës, e mbaj mend shumë mirë entuziazmin e optimizmin e atij sheshi të mbushur plot e përplot.

Dhe besoj që nuk kishte pohim më të qartë të asaj që ndjenin vërtet shqiptarët për Shtetet e Bashkuara dhe të mënyrës sesi i shihnin në të vërtetë shqiptarët Shtetet e Bashkuara, pavarësisht propagandës së regjimit sesa ai shesh e ajo energji e jashtëzakonshme. Dhe kur hedh sytë mbrapa, në 30 vitet e fundit, i vetmi përfundim ku mund të arrish është që koha e ka justifikuar atë besim e entuziazëm të shqiptarëve tek Amerika.

Kam pasur shpesh rastin të bisedoj me kolegë apo miq të huaj, amerikanë e europianë, për këtë lidhje mes nesh. Ka nga ata që nuk e kuptojnë. Por në fakt është shumë e thjeshtë ta shpjegosh përse shqiptarët i çmojmë kaq shumë Shtetet e Bashkuara dhe partneritetin mes nesh.

Dhe për ta kuptuar mjafton t’i bësh vetes disa pyetje të thjeshta.

Si do të kishte qenë tranzicioni post-komunist i Shqipërisë e shqiptarëve pa mbështetjen e pandërprerë të Shteteve të Bashkuara padyshim krahas partnerëve tanë të vyer europianë?

Si do të kishte qenë sot rajoni ynë pa ndërhyrjen e vendosur e parimore të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës e gjakderdhjes e për ta futur rajonin tonë në binarët e normalitetit?

Si do të kishte qenë sot pozita e shqiptarëve në rajon pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara që garantuan lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj?

Shqipëria është sot një realitet krejt tjetër nga ai i 100 vjetëve më parë apo nga ai realitet i dhimbshëm që gjeti Sekretari Baker 30 vjet më parë kur rilindi kjo marrëdhënie e shkëputur në mes për interesa të një regjimi diktatorial.

Ne jemi sot një vend që jep një kontribut real për sigurinë, stabilitetin e paqen në rajon, por edhe më gjerë, pasi Shqipëria në Këshillin e Sigurimit po jep sot një kontribut real në adresimin e çështjeve madhore që shqetësojnë sigurinë e paqen në botë, ku padyshim do të veçoja rolin tonë në dosjen e Ukrainës ku jemi bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ne jemi sot një vend që ka hedhur hapa të jashtëzakonshme drejt modernizimit, europianizimit, ndërtimit të një demokracie funksionale e të konsoliduar të bazuar tek sundimi i ligjit duke arritur më në fund vetëm pak ditë më parë, të hapim formalisht negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Është një progres që na bën të ndihemi krenarë., që na bën edhe më të ndërgjegjshëm për borxhin e madh të mirënjohjes që ju detyrohemi partnerëve si Shtetet e Bashkuara që na kanë ndihmuar në çdo hap të rrugëtimit tonë të vështirë duke filluar nga lindja e shtetit shqiptar mes kaosit të luftërave ballkanike e Luftës së Parë Botërore e deri më sot.

Sot është një moment për të  hedhur  sytë mbrapa  nga 100 vjetët  e fundit. Por  unë besoj që  mbi  të  gjitha  sot  është  një moment  për  të parë  drejt të  ardhmes së  këtij  parteneriteti  i cili  kam  bindjen që do të thellohet e forcohet më tej  falë  punës  se të gjithë ne. Dhe me shpresë,100vjet nga sot, në një tjetër  kremtim të kësaj marrëdhënie, ata  që  do të marrin  pjesë   do të hedhin sytë pas  e do të  ndihen  krenar për  atë  që  kemi bërë ne, të githë  bashkë krah për krah.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: